Krasniqi pas takimit me Osmanin: Për PDK-në interesi nacional është mbi të gjitha

27 shtator 2023 | 20:09

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani me të cilën ka biseduar për zhvillimet në veri të vendit.

Krasniqi ka thënë se për PDK-në interesi nacional është mbi të gjitha.

“Edhe një herë, shpreha mbështetjen dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila, në 24 vitet e ekzistencës së saj, nuk ka rreshtur së na bëri krenarë me profesionializimin e dëshmuar vit pas viti në shërbim të vendit. Heroi Afrim Bunjaku është shembulli i fundit i kësaj atdhedashurie. Për mua dhe PDK-në, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Në kuadër të një jave tejet sfiduese për Kosovën, sot i jam përgjigjur pozitivisht ftesës për takim nga presidentja Osmani-Sadriu. Gjatë këtij takimi, ku i pranishëm ishte edhe Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, u informova në lidhje me gjendjen e sigurisë në vend dhe veprimet e të gjitha institucioneve për të garantuar siguri e mbrojtje për qytetarët dhe shtetin tonë.

Edhe një herë, shpreha mbështetjen dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha institucionet e sigurisë, posaçërisht për Policinë e Kosovës, e cila, në 24 vitet e ekzistencës së saj, nuk ka rreshtur së na bëri krenarë me profesionializimin e dëshmuar vit pas viti në shërbim të vendit. Heroi Afrim Bunjaku është shembulli i fundit i kësaj atdhedashurie.

Për mua dhe PDK-në, është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi Republikën e Kosovës adresën kryesore e ka në Beograd. Konfirmimi i përfshirjes së Milan Radojçiqit në këtë aksion, armatimi i sofistikuar dhe i shumtë i terroristëve, strehimi i tyre në Serbi pas sulmit dhe lartësimi i tyre si heronjë nga institucionet zyrtare të Beogradit, përfshirë shpalljen e ditës së sotme si ditë zie për ta – tregojnë për lidhjen e fortë të këtij grupi terrorist me shtetin e Serbisë.

Prandaj, në periudha sfiduese si kjo, kur është cënuar integriteti territorial, sovraniteti i shtetit tonë dhe siguria e qytetarëve tanë, për PDK-në, siç ka qenë gjithmonë, interesi nacional i vendit është dhe do të mbetet mbi të gjitha. Si PDK, i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë të gjitha institucioneve të sigurisë në përballje me këtë situatë.

Sot, përveç tjerash, i bëjmë thirrje edhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për t’i dorëzuar tek autoritetet kosovare, terroristët të cilët Serbia i ka marrë në mbrojtje.

Veprimet e tyre nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar dhe drejtësia duhet të triumfojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takime të…