Krasniqi: Përvoja e Suxhos do t’i shërbejë ngritjes së cilësisë së volejbollit

11 janar 2023 | 16:25

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi ka pritur trajnerin e Përfaqësues së Kosovës U17 në volejboll, konkurrenca e femrave,  Donald Suxho. Suxho, që me prejardhje është nga Korça e Shqipërisë, në karrierë njihet për paraqitjet e tij me kombëtaren e SHBA-ve në Kampionate Botërore dhe dy herë edhe në Lojërat Olimpike “Athina 2004” dhe “Londra 2012”.

“Presidenti Krasniqi, duke falënderuar trajnerin Suxho për ardhjen e tij në Kosovë, theksoi se përvoja e tij në garat e nivelit të lartë, do t’i shërbejë ngritjes së cilësisë së volejbollit tonë në përgjithësi, dhe jo vetëm tek U-17. I pari i lëvizjes olimpike në vend i shprehu mbështetjen e lartë të KOK-ut, për zhvillimin e mëtejmë të volejbollit, por edhe sportit në përgjithësi. Nga ana e tij, trajneri Suxho, shprehu admirimin e tij për pritjen e bërë, derisa theksoi se do të japë nga vetja gjithë potencialin e tij për të çuar volejbollin tonë në nivele më të larta”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Të dyja palët bashkëbiseduan edhe për Lojërat Olimpike në të cilat Suxho ka lënë gjurmë, por edhe për sukseset e sportisteve tona, me theks të veçantë tri medaljet e arta olimpike të fituara nga xhudistet tona, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova.

Të pranishëm në takim ishin edhe drejtuesit e Federatës së Volejbollit të Kosovës, kryetari Bahri Gjinovci dhe sekretari i përgjithshëm, Valon Nikqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të…