Krasniqi: Situata në veri është duke ndryshuar nga ora në orë

05 nëntor 2022 | 18:42

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për zhvillimet e sotme në veri të vendit, ku Lista Serbe ka vendosur të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, njëjtë kanë vepruar edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.

Krasniqi ka theksuar se kjo shënon një akt të paprecedent, jo vetëm të cenimit të sovranitetit juridik e shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe të cenimit të rendit publik, i cili është bazë për sigurinë e jetës së të gjithë qytetarëve të asaj zone, pa dallim.

“Jam jashtëzakonisht i shqetësuar me këto zhvillime dhe në rrethana kur nuk ka një epilog të qartë rreth tyre është obligim i qeverisë që t’ua sqarojë qytetarëve se çka në të vërtetë është duke ndodhur atje”.

“Prandaj, kërkoj nga kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, që t’ju drejtohet qytetarëve për t’i njoftuar për seriozitetin e situatës dhe për hapat që do të ndermarrin institucionet e vendit për të garantuar ruajtjen e rendit publik, jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ai ka theksuar se situata është duke ndryshuar nga ora në orë dhe rreziku i përshkallëzimit është evident.

“Kjo duhet të shmanget dhe qëllimi duhet të jetë ruajtja e paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka reaguar pas…