Krasniqi takon kandidatët e PDK-së për kryetarë të komunave në veri të Kosovës

19 prill 2023 | 15:29

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi është takuar me kandidatët për kryetarë të komunave veriore për të cilat të dielën do ta ketë zgjedhje lokale.

Kandidatët e PDK-së janë Taulant Kelmendin, kandidat për Mitrovicën e Veriut, Albulena Behluli-Hetemin, kandidate për Leposaviq, Izmir Zeqirin, kandidat për Zubin Potok dhe Ilir Pecin, kandidat për Zveçan.

“Në këtë takim diskutuam për përgatitjet në lidhje me këtë proces që do të mbahet të dielën, më 23 prill, dhe për gatishmërinë e kandidatëve të PDK-së për të marrë përgjegjësi udhëheqëse dhe për të qeverisur për të gjithë qytetarët, pa dallim, përkundër sfidave për shkak të tensioneve në këtë pjesë të vendit. Ata janë të vendosur që ta kryejnë punën e tyre me përkushtim të paepur dhe për këtë e kanë mbështetjen e plotë timen dhe të PDK-së”.

“Ndonëse procesi i votimit do të organizohet kryesisht nëpër qendra alternative të votimit, ne ftojmë të gjithë qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës për një të ardhme më të mirë për vete dhe familjet e tyre”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Situata në veriun e Kosovës nuk ka qenë e qetë gjatë muajit të fundit dhe për këtë Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mirëmbajnë këtë proces.

“Po ashtu, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet përkatëse të sigurisë, angazhim maksimal për mbarëvajtjen e rregullt të procesit zgjedhor”, ka shkruar ai.

Zgjedhjet në veri ishte paraparë të mbahen dhjetorin e vitit 2022, por situata ishte e tensionuar dhe ato ishin shtyrë për në prill.

Nevoja për zgjedhje erdhi pasi kryetarët e komunave serbe që ishin nga Lista Serbe kishin dalë nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti gjerman Sebastian Vettel, pas tërheqjes nga sporti vitin e…