Krasniqi: Vendimet e PZAP-it janë të mbështetura në Kushtetutë dhe ligj

12 nëntor 2019 | 15:49

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, duke iu referuar ankesave ndaj vendimit të fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka thënë se vendimet e këtij paneli janë të mbështetura në Kushtetutën dhe në Ligjin për zgjedhjet.

Ai ka thënë se Nisma Socialdemokrate nuk kërkon askujt t’i rrëmbej mandate, por as nuk do të pranojë grabitjen e mandateve nga askush.

“Është e frikshme, kur një parti ende pa u ulur në kolltukun qeverisës tenton ta grabisë vullnetin qytetarë me vota të huaja e të kontrabanduara”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Të dashur qytetarë,

Vendimet e fundit të PZAP-së, janë vendime të mbështetura në Kushtetutë dhe në Ligjin për zgjedhjet e lira e demokratike. Në ketë frymë, pa asnjë mëdyshje është vendimi për largimin e votave të kontrabanduara nga Serbia. Futja e atyre votave në sistem nga KQZ-ja, ishin kryekrejt antiligjore dhe cenonin rënd vullnetin e qytetarëve të lirë të Kosovës.

Me vendimin e PZAP-së, nuk ka humbur asnjë parti politike që ishte pjesë e garës zgjedhore, por ka fituar demokracia dhe vullneti i lirë i sovranit i shprehur në zgjedhjet e lira të 6 tetor 2019.

Kësaj fitore demokratike e ligjore duhet t’i gëzohemi të gjithë dhe sidomos duhet t’i gëzohen partitë që në këto zgjedhje dolën të parat. Ato e kanë për obligim ligjor që t’i përmbahen ligjit dhe të bëhen gardian të ligjit e të demokracisë.

Është e frikshme, kur një parti ende pa u ulur në kolltukun qeverisës tenton ta grabisë vullnetin qytetarë me vota të huaja e të kontrabanduara.

Nisma Socialdemokrate nuk kërkon askujt t’i rrëmbej mandate, por as nuk do të pranojë grabitjen e mandateve nga askush, përkundrazi kërkon vetëm e vetëm vullnetin e lirë të sovranit që u shpreh më 6 tetor 2019.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Dardanët” kanë mbajtur sot konferencë për media para dy ndeshjeve…