Krerët e oktapodit dhe peshkaqeni i madh

17 gusht 2018 | 11:12

Bedri Islami

Drejtësia e shtetit shqiptar është, të paktën deri tani, një lëmsh i madh, i zjarrtë që ka djegur shumëçka në këtë vend dhe çdo gjë që del tashmë zbuluar nuk është vetëm maja e asaj që është ditur prej kohësh dhe që ka pjesën e saj në rënien poshtë të shtetit.

I gjithë ky sistem, i kalbur deri në rrënjë dhe armik i pamëshirshëm i vendit të tyre, ka pasur deri më tani një kupolë institucionale, e cila quhet Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në krye të këtij Këshilli, në kohë të ndryshme ka pasur presidentë, të cilët, duke u bërë palë me rrëshqitjet fatale, nuk do të thotë se sot duhen ta ndiejnë veten të larë dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë në kohën e tyre.

Kupola e drejtësisë, e cila të ngjan më shumë me krerët e oktapodit, prej shumë viteve e kishte mbajtur sistemin gjykues në duart e veta, të cilat nuk mund të pastrohen thjesht përmes Vettingut pasi, jo pak herë, nga vendimet e tyre kanë rrjedhur edhe lumenj gjaku, sidomos kur kanë mbështetur, promovuar dhe sistemuar në vendet e tyre të preferuara njerëz me moral qytetar të dyshimtë, kur përmes lojës së tyre kanë bërë politikën e pistë të shembjes së shtetit dhe, në vend që të jetë një nga shtyllat e mbajtjes së vendit, u kthyen në gërmuesit e mjerimit të vendit.

Sido që të ketë ndodhur, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me përjashtime sporadike, do të mbahet mend si gangrena e gjyqësorit shqiptar, si vendi ku janë bërë allishverishet më flagrante dhe që në vitet e fundit, nën presidencën Nishani – Berisha, u bënë turpi i skajshëm i ligjit dhe i rendit. Asnjëherë më parë, në asnjë rrethanë, nuk ka pasur dhe, për fat, nuk do të mund të ketë një Këshill të tij të Drejtësisë, i cili, me dashje, skajshëm i skanuar politikisht, rrënoi pushtetin për ta ngritur mirëqenien e tyre; shkatërruan jetë njerëzore që fëmijët e tyre të hallakateshin nëpër rrugët e Evropës; grabitën prona dhe dhanë vendime të turpshme për t’i ngritur vilat dhe godinat e tyre, herë të ditura dhe më shumë të paditura.

Në pesë vjetët e fundit Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Nishani, si drejtuesi i tij, jo vetëm u bënë shembulli i turpshëm i jetës gjyqësore, por e shndërruan veten në një trupë që plotësonte urdhrat e dhënë nga familja Berisha, duke vendosur aty ku familja dëshironte, njerëz besnikë të një klase politike, thellësisht të çoroditur dhe skajshmërisht antikomb; duke caktuar besnikërisht njerëz të devotshëm për të shërbyer me zell, edhe pse shteti, institucionet e tjera, bënin një pjesë të punës së tyre duke dërguar për shqyrtim raste, gjyqtarë dhe figura që ishin degraduar në mënyrën më marramendëse të mundur.

Krerët e këtij oktapodi kishin mbi vete peshkaqenin Berishë, i cili, duke luajtur me të dhënat e tyre, duke ia ditur burgjitë dhe pasurinë, duke pasur dije ndoshta për secilin, i bindur se kishte para vetes njerëz jodinjitozë, të gatshëm për të shërbyer, skllevër të politikës dhe moralisht të shkatërruar, i tërhiqte fijet dhe ua tundte kokat sipas dëshirës, duke ua ngritur dorën si të kishte dëshirë ai vetë, apo thjesht njerëzit e familjes së tij.

Avokatët e Berishës, të afërmit e Shkëlzen Berishës, të njohurit dhe bashkëpunuesit e Argitës, skllevërit juridikë të Bashës u bënë gjyqtarë të Apelit, u deleguan në Gjykatën e Lartë, vajtën në Gjykatën Kushtetuese. Ata ishin deri në fund krerët që i tundeshin oktapodit të drejtësisë dhe që, kur kishin dëshirë, lëshonin tymin e politikës gjyqësore dhe grabitnin gjithçka mundnin, të bindur se pushteti i toleronte dhe nuk dëshmonte.

Ndoshta ata janë ndër njerëzit më të pasur në sistemin e drejtësisë. Pasuria e tyre e përbashkët, e njohura dhe jo me gjithë të panjohurën, shkon deri në 8 miliardë lekë të rinj dhe askush nuk e di dhe as nuk mund ta marrë me mend se çfarë fshihet pas pjesës së dukshme.

Shumë nga ata që u rrëzuan nga Vettingu apo që iu shmangën atij, duke hequr dorë nga karriera e tyre juridike, ishin pikërisht të vendosurit në postet e shpërblimit.

Le të sjellim disa shembuj:

Mirela Fana ishte anëtare e Gjykatës së Lartë. E emëruar nga parlamenti, me mbështetjen e Partisë Demokratike, me vendimin nr. 248, datë 23.04.2009. Është bashkëshortja e Neshat Fanës, avokati i njohur i familjes Berisha. U tërhoq nga profesioni sapo u miratua ligji për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Besnik Ymeri, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese, u largua me dëshirë të imponuar nga sistemi, pasi, nëse nuk do të ishte Vettingu, do të ishte përsëri aty. Është propozuar nga Bujar Nishani dhe miratuar shpejt e shpejt më 22 mars 2013.

Nga Gjykata Kushtetuese, largohet edhe Altina Xhoxhaj, e propozuar dhe e miratuar nga PD-ja në vitin 2010.

Shtatë juristët e përzgjedhur në vitin 2012, disa në pragun e largimit nga pushteti, ishin njerëz të gardës berishiane: ata u emëruan në Gjykatën e Apelit, në Gjykatën e Lartë apo në atë Kushtetuese, pasi kishin dhënë prova të larta besnikërie në gjyqe të “patates së nxehtë”, të Gërdecit, të 21 janarit, ndaj Damir Fazlliçit etj., si Fatmira Hajdari, Shkëlqim Mustafa, Tom Ndreca, Fatos Lulo e mes tyre edhe i njohuri gjykatës shërbyes i lartë politik, Agim Bendo, që mes të tjerave njihet edhe për marrjen në mbrojtje të një perversi politik ministër.

Tom Ndreca është emër i njohur me vendimet e tij abstrakte, por thellësisht politike. Tani është jashtë sistemit. U emërua si anëtar i Gjykatës së Lartë në prill të vitit 2013 nga ish presidenti Nishani dhe u miratua me procedurë të shpejtë nga grupi parlamentar i PD-së. A mundej vallë që gjyqtari , i cili mbylli dosjen e 21 janarit, të mos gradohej e shpërblehej?

Fatos Lulo u emërua nga PD, fillimisht në Gjykatën e Lartë, në vitin 2005 dhe pastaj, i propozuar nga Nishani, në maj të vitit 2013 kaloi në Gjykatën Kushtetuese.

Admir Thanza, ishte anëtar i Gjykatës së Lartë, i emëruar po nga e njëjta strukturë dhe i marrë në mbrojtje nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Sot jashtë sistemit, për shkak të lidhjeve me krimin, vjedhjes dhe dënimit në Itali dhe fshehjes së saj. Propozuar nga Bujar Nishani, votimi i tij, me procedurë të shpejtuar, është mundësuar nga Berisha dhe Topalli.

Gani Dizdari, po ashtu, propozohet nga Bujar Nishani si anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe miratohet me procedurë të shpejtuar. Jashtë sistemit aktualisht.

Juristi Metalla u emërua në Gjykatën e Apelit të Tiranës në vitin 2013, në pragun e ndërrimit të pushtetit dhe, po ashtu, i mbështetur nga Partia Demokratike.

Më shumë se tre të katërtat e të larguarve nga sistemi janë emërime të “peshkaqenit të madh” dhe kreut të oktapodit të rrezikshëm.

A nuk mban përgjegjësi struktura që i propozoi dhe i emëroi shpejt e shpejt të larguarit e sotëm nga sistemi i drejtësisë, si Fatmir Hoxha i larguar nga Gjykata Kushtetuese, ku ishte deleguar në vitin 2011, Artan Zeneli, po ashtu, në vitin 2012, Artan Lacaj njëjtë, Gentian Trenova. Rovena Gashi, krahu i djathtë e shefit të prokurorisë, sozia e frikshme e tij, u emërua në atë post në vitin 2013, etj.

Shembujt janë të shumtë.

Krye shembulli është ai i ish kryeprokurorit të përgjithshëm, Llalla. Pas propozimit të Bamir Topit, që ishte ende në marrëdhënie të mira dhe të ngrira njëkohësisht me PD-në, Adriatik Llalla, pas provave që kishte dhënë duke mbuluar pasuritë abuzive, në vendin ku ishte caktuar, me 75 votat e PD-së dhe të LSI-së, zgjedhet kryeprokuror.

Qëndroi për pesë vite dhe për hatër të tij desh dogjën parlamentin dhe deshën t’i venë flakën gjithë vendit. Të zgjedhurin e tyre, si mburojë ndaj drejtësisë, u përpoqën ta mbanin me gjithë forcat e tyre dhe, jo rastësisht, përsëri ata që e ngritën, ata desh edhe dogjën gjithçka për hirin e tij: PD dhe LSI.

Një mik i imi, njohës i shkëlqyer i sistemit të drejtësisë, pas një shkrimi më dërgonte mesazhin e mëposhtëm: “Pjesë e Vettingut duhet të jenë domosdo anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ata duhet të japin llogari për vendimmarrjen e tyre, thellësisht abuzive, por edhe për transferimet. Koha e Nishanit ishte në fakt koha e listave që dërgonte Berisha dhe familja e tij. Bënë karrierë gratë e burrat e anëtarëve të KLD dhe u pasuruan marramendshëm shpejt. U rikthyen në gjyqësorë ish kursantë që ishin vetëlarguar apo i kishin larguar nga drejtësia”.

Një sistem i kapur nuk mund të largohet nëse nuk i shkund mirë e mirë ato që duhen shkundur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Suharekës është përballur me vërshime të cilat kanë…