KRIMI AS NUK VJETROHET, AS NUK HARROHET, AI DUHET DËNUAR POR NGA KUSH DHE KUR?

24 shkurt 2021 | 18:36

(marr shkas nga deklarata e kriminelit Jovan Golluboviq)

Shefqete Goslaci

Dëshmi të gjenocidit dhe krimeve serbe mbi shqiptarët në Kosovë gjatë luftës 1998/99, të cilat edhe pse të njohura, të dëshmuara, të dokumentuar dhe të argumentuara në dritë të diellit si për Institucionet e Kosovës ashtu edhe për gjithë opinjonin Ndërkombëtarë, (nga dëshmitarët okularë që ende janë gjallë), deri sot nga asnjë Gjykatë nuk u gjykua as nuk u dënua askush?

Është vështirë e kuptueshme dhe pothuajse paradoksale se si nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, po edhe ato Ndërkombëtare, nuk u shkrua së paku një padi për keto krime makabre dhe gjenocidin shfarosës mbi shqiptarët, krim gjenocid, etnocid dhe holokaust që e pa gjithë bota (për çka edhe u alarmua e gjithë bota Demokratike dhe NATO intervenoj ushtarakisht në aspektin human për ta shpëtuar një popull nga shfarosja.

Përderisa Gjykata Speciale përndjek dhe arreston shqiptarët për krime të pretenduara, kriminelët serb-barbarë shetisin të lirë në Kosovë e në Serbi, ndërkohë krimineli Jovan Golluboviq deklaron publikisht krimet që ka bërë bashkë me njësitet policore-ushtarake në Prekaz dhe gjithëandej Kosovës, dhe tregon për vendndodhjen e varreza masive të shqiptarëve në Serbi, askush nuk reagon.
Të gjithë heshtin.

Ku është Drejtësia e Kosovës dhe ajo Ndërkombëtare?

Ku janë institucionet e Kosovës në këtë plan, ku?
Cila është përgjegjësia e tyre institucionale, (nëse e ndjejnë), kur si shoqëri kemi në duar qindra mijëra dëshmi, xhirime, e fotografi, (në Serbi dëshmitarë të gjallë të krimeve monstruoze, kriminelë, të cilët mbase s’do të mund të vdesin pa i treguar, deklaruar e pranuar publikisht krimet që kanë bërë mbi popullatēn civile, si rasti në fjalë, (në Kosovë, të mbijetuar dhe dëshmitarë të dhjetra e qindra masakrave dhe krimeve mbi ta), dhe askush nga organet kompetente nuk ndërmerr asgjë?

Ndoshta, Ju, po prisni edhe një apo dy dekada që dëshmitarët e gjallë të të dya palëve (kriminelë dhe viktima) të vdesin, e Ju të thoni pastaj, nuk kemi dëshmitarë?

Populli shqiptarë është masakruar nga të gjitha Serbitë (e para, e dyta e treta), po kujtoj këtu vetëm masakrën e Prapashticës (11.01.1921) këtu e një shekull më parë, ku brenda një nate nga ushtria dhe policia kriminale serbe u masakruan 1520 civil shqiptarë, dhe në rrethana të asaj kohe, përkundër përpjekjeve të Atdhetarit Nazim Gafurri (i cili më 1928 kishte shitur pronën private, sarajet e tij), për të organizuar një Konferencë Ndërkombëtare, për ta publikuar këtë masakër para Institucioneve Ndërkombëtare, kjo nuk ndodhi sepse Serbia kishte marr masat dhe e vrau patriotin Nazim Gafurri.

Po sot, kur kemi aq shumë njerëz të shkolluar, Juristë, Gjyqtarë e Prokurorë, a mund të bëhet kjo?

Përgjegjësia Juaj, Juve, që i përfaqësoni institucionet përgjegjëse është kolektive dhe shtetërore, por, duhet të jetë edhe individuale dhe morale.

Po Ju, Prokurorë dhe Gjyqtarë të Kosovës, për kur po e leni?

– Nuk e di si mund ta keni bërë gjumin gjatë këtyre 22 viteve pas luftës, kur si çdo qytetarë/e, e Kosovës keni parë familjarët e të kidnapuarve (sepse ata nuk janë të zhdukur, ashtu si i quani ju, por dihet mirë kush i mori me dhunë, i kidnapoj, i torturoj, i dhunoj, i vrau, i masakroj, i preu, i dogji, i hodhi lumenjëve të Serbisë, i dogji furrave, madje, shtroj rrugë me hirin e tyre, dhe i varrosi nëpër varreza masive për ti humbur gjurmët e krimit), se si janë cfilitur, traumatizuar e stërmunduar në përpjekjet e tyre individuale dhe grupore për ti identifikuar dhe kthyer eshtrat e të dashurve të tyre në Kosovë?
Ata jetojnë prej 22 vitesh në ankth, ndērsa trishtimin e kanë të përjetshëm. Po, Ju?

Këta kriminelë serb, si në rastin konkret në Serbi, (Jovan Golluboviq, kriminelë pjesëmarrës në masakrën e Prekazit), i cili dëshmoi për ekspeditat shfarosëse ndaj shqiptarëve, me urdhër nga krerët e aparatit shtetëror të Serbisë, janë zëra të rrallë në një shoqëri që kolektivisht e mohon krimin e organizuar nga aparati shtetëror , dhe të paktë në mbigënjeshtrën (që e kanë si vlerë), e mediave serbe të mbikqyrura dhe të dirigjuara politikisht që dëshmojnë krimet e organizuara shtetërore të Serbisë, mbi popullatën shqiptare civile e të pambrojtur të Kosovës. Ndërkohë që institucionet shtetërore serbe gjoja kanë “dënuar”, dy, tre kriminelë sa për t’iu hedhur sy ndërkombëtarëve se i kemi dënuar kriminelët.

Rastet si ky dëshmitarë i gjallë serb, janë raste të mëdha që nuk duhet kaluar në heshtje.
Përkundrazi!
Janë raste mbi të cilat duhet mëshuar fort çekanit të Drejtësisë Kombëtare dhe Ndërkombëtare.
Dihet, nuk jemi (jeni) përgjegjës vetëm për veprimet që bëjmë (bëni), dhe e kundërta.
Nëse Ju fleni, më të qetë do flejnë krimet dhe kriminelët?
Kriminelët herdokurë duhet dënuar!

Krimi as nuk vjetrohet as harrohet, ai duhet ndëshkuar, por nga kush dhe kur?

Kërkohet guxim, kurajo dhe bashkëpunim me faktorin Ndërkombëtar, sa janë gjallë dëshmitarët.
Faktet i keni në duar.

Bëjeni pra, sot?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lazio nuk arriti t’i bëjë ballë Bayern Munchenit dhe pësoi…