Kristina Ukaj do ta përfaqësojë Kosovën

27 janar 2020 | 21:21

Federata e Hendbollit të Kosovës po e vazhdon punën për t’i forcuar ekipet përfaqësuese. Të hënën pjesë e Përfaqësues së Kosovës është bërë portierja cilësore Kristina Ukaj, që bën karrierë në kampionatin e Zvicrës.

Klubi i saj, SPONO Eagles, të hënën zyrtarisht ka njoftuar FHK-në se Ukaj me shumë kënaqësi ka pranuar që të jetë në dispozicion të Kosovës. Ukaj para se ta marrë vendimin është konsultuar me klubin, me drejtorin sportiv dhe me prindërit. Ajo është e nderuar dhe e vetëdijshme për rëndësinë që ka paraqitja në Përfaqësuesen e Kosovës. Ukaj është nga Kosova, ndërsa është e rritur në Zvicër. Këtë edicion po paraqitet me shumë suksese për SPONO Eagles në kampionatin e Zvicrës.

Në ndeshjen e fundit ndaj Rotweiss Thunit, portierja e re shënoi dy gola, ndërsa ndali 11 nga 25 gjuajtjet në drejtim të portës së saj. Pra, ndali 44 % të gjuajtjeve. Ishte prej më meritoreve për fitoren e SPONO Eagles (24:23). Në ndeshjen e parafundit kampionale kishte pritur 59 % të gjuajtjeve. Në shumicën e ndeshjeve kishte përqindje të lartë të goditjeve të pritura. Kristina Ukaj i bënë 21 vjet në mars, ndërsa është e gjatë 176 centimetra. Ka përvojë edhe në Kupa Evropiane. Kosova dy ndeshjet e ardhshme i luan ndaj Bjellorusisë, më 25 mars në Prishtinë e më 29 mars në Minsk. Ndeshjet i takojnë fazës së dytë të eliminatoreve për “Euro 2020”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka kritikuar LVV-në dhe LDK-në…