“Kriza në Kosovë, zgjidhja ende e largët”

10 shkurt 13:13

Nga Jakup Krasniqi

Ky titull është i një shkrimi (analize) të DW i 9 shkurtit 2019, që tek ne e sollën  mediet tona (portalet). Sigurisht që nuk pajtohem me pjesën e parë të titullit “Kriza në Kosovë”, kur dihet se në 30/40 vitet e fundit, kriza në ketë pjesë të Evropës është e shkaktuar nga Serbia dhe kriza vazhdohet nga politikat që zihen e përzihen në kuzhinën serbe e ruse dhe se kriza i tejkalon goxha shumë kufijtë e Kosovës, pra jo edhe me fajin e Kosovës.

Mbase titulli do t’i shkonte shumë më mirë po të thuhej: Krisa në Ballkanin Jugperëndimor, “zgjidhja ende e largët”. Pasi Ballkani do të vazhdoi të ketë kriza të karakterit nacionalist edhe aty ku zjarrit nacionalist i është qitur një kapak ngulfatës, e të cilit i duhet një zgjidhje afatgjatë të bazuar në vlera evropiane. Kaq sa i përket pjesës së parë të titullit.

Është interesant edhe përshkrimi që i bënë Kosovës, për të cilën gjë autori shkruan: “Kosova vazhdon të jetë një nga shtetet më të korruptuara. Mediat dhe drejtësia kanë ngelur varur në klanet e politikës. Kontrabanda e armëve, drogës dhe qenieve njerëzore janë “sektorët ekonomikë” më të rëndësishëm”.

Për ketë edhe nuk kam shumë vërejtjeje, por kjo gjendje është që nga koha e UNMIK-ut dhe EULEX-it  dhe i gjithë problemi është i shtresuar nder vite dhe ka pasur e mbase edhe ka një bashkëveprimi me krimin e organizuar jashtë kufijve të Kosovës. Një gjë duhet të thuhet, ajo që nënvizova dhe e shkëputa nga shkrimi i DW për Kosovën duhet të lexohet e rilexohet nga drejtuesit e pozitës e të opozitës, sidomos nga të parët, që ta shohin pa syza, ashtu si po e shohin të tjerët Kosovën.

Kjo vlen sidomos për ata që kanë qeverisur gjatë pas Pavarësisë. Sigurisht që ketë duhet ta ketë parasysh cilido që merr përgjegjësinë për të qeverisur. Dhe gjendja është përshkruar saktë dhe për ketë gjendje flasin shumë faktor e në mesin e të tyre edhe largimi i vazhdueshëm i qytetarëve nga Kosova dhe rënia drastike e numrit të banorëve gjithandej vendit tonë.

Qytetarët po largohen se nuk po shohin as perspektivë e as siguri për jetën. Ata që e kanë marr përgjegjësinë për të qeverisur vendin, duhet t’i marrin masat e nevojshme për t’i ndryshuar në themel politikat e planifikimit e të drejtimit. Por, ketë nuk mund ta bëjnë me kapacitetet politike, intelektuale e profesionale që i kanë ofruar gjatë dhjetëvjetëshit të Pavarësisë. Ata duhet ta dinë se me politikat që i bëjnë me njerëzit e “lepe – peçeve” as qeveriset vendi dhe as bëhen ndryshimet progresiste e zhvillimore. Kushdo që nuk e sheh ketë është më shumë se mendjeshkurtër.

Ajo që nuk mund të pajtohem është edhe fakti se për Serbinë po thuhet: “Në Serbi gjendja është e njëjtë, megjithëse vendi është zyrtarisht kandidat për t’u pranuar në BE. Komisioni i BE-së, ka parashikuar madje vitin 2025, si datë e mundshme pranimi”. Edhe në Serbi gjendja është e njëjtë, si në Kosovë (mbase edhe më keq), por ajo është kandidate për integrim në BE, ndërsa Kosova nuk e ka as liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar të gjitha kushtet, është thënë po nga BE-ja. Kjo është një dëshmi tjetër se disa vlera të BE-së janë ngatërruar diku në mes 28 vendeve të saj!

Në vazhdim është goxha interesant përshkrimi që i bëhet Vuçiqit, për të cilin thuhet: “Vuçiqi ka shtatë vjet që qëndron në pushtet. Kjo falë premtimeve që i ka bërë Berlinit, Uashingtonit dhe Brukselit se do të punojë për një zgjidhje në çështjen e Kosovës. Për këtë Perëndimi i la dorë të lirë në politikën e brendshme. Askush nuk ka ushtruar kritika të ashpra që Vuçiqi ka ndërtuar një sistem autokratik pushteti”.

Nuk me vije keq që Vuçiqit i është len të livadhis në Serbi, por kush mund të thuhet se diçka e tillë nuk i është len edhe ndonjërit nga të tanëve? Të cilët nuk përshkruhen më mirë sesa Vuçiqi. Pasi autori i shkrimit vijon: “Edhe në Kosovë udhëheqësit politikë nuk janë të interesuar në ndonjë paqe afatgjatë me fqinjin, Serbinë. Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë rritur në luftën e armatosur kundër Serbisë”. Edhe pse, ndonjëri nga këta tanët, gjatë këtyre gjashtë-shtatë viteve është munduar me mish e shpirt ta përmbyllë paqen me Serbinë edhe me kushtin e zvogëlimit gjeografik të Kosovës?!

Pse nuk u pajtova me përshkrimet e fundit që autori i ka bërë Vuçiqit dhe udhëheqësve të Kosovës? Jo vetëm pse Vuçiqi në Serbi nuk është i vetmi, ka edhe plotë të tjerë si ai, por edhe për faktin se nëse “zgjidhja është ende e largët”, përgjegjësia duhet të kërkohet vetëm në Beograd, pasi Kosova ka bërë shumë kompromise për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. E kompromisi më i madh është bërë me Dokumentin e Ahtisarit i cili ka pasur edhe bekimin e Grupit të Kontaktit pjesë e të cilit ka qenë edhe Rusia. Ndonëse në Bisedimet e mbikëqyrura nga Brukseli është shkuar shumë përtej ati dokumenti.

Sigurisht, titulli më i mirë do të duhej të ishte: Krisa e shkaktuar nga Serbia, zgjidhja ende shumë e largët! Kështu po!

Të jam i qartë, reagimin nuk e bëra vetëm për shkrimin e DW-së?! Por pse kjo po bëhet politikë zyrtare e disa vendeve të BE-së.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nga pesë kushtet që do e siguronte votën e…