Kroacia e Kosova “vëllezër të armëve”, vjen reagimi i ministrit kroat kundër Vulinit

09 maj 19:45

Ministri i Jashtëm kroat Gordan Grliq-Radman deklaroi sot se Serbia është e vetëdijshme për presionin ndërkombëtar për njohjen e Kosovës, andaj Beogradi zyrtar dëshiron të projektojë frustrime të caktuara në Kroaci.

Pas ekspozitës “Fytyrat e Evropës”, organizuar me rastin e Ditës së Evropës, Grliq-Radman akuzoi ministrin e Brendshëm serb Aleksandar Vulin, i cili e quajti Kroacinë dhe Kosovën “vëllezër të armëve”, për promovim të politikës së mposhtur të Serbisë së Madhe dhe kundërshtimet e pabazuara ndaj Kroacisë, e cila kurrë nuk kishte aspirata për territorin e dikujt tjetër dhe as nuk kërkoi një rishikim të kufijve, raporton agjencia Hina.

“Serbia është e vetëdijshme për një presion të caktuar ndërkombëtar kur bëhet fjalë për njohjen e Kosovës, sepse ky është realiteti, dhe pastaj ata duan të projektojnë frustrime të caktuara në Kroaci,” tha Grliq-Radman.

Ballkani Perëndimor është një nga dy temat kryesore të takimit të rregullt mujor të ministrave të jashtëm të hënën në Bruksel.

Çështjet e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe Procesit të Stabilizim-Asociimit do të diskutohen të martën në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, i cili përbëhet kryesisht nga ministra të jashtëm ose ministra të ngarkuar me çështjet evropiane.

Grliq- Radman thotë se Kroacia është një “temë” dhe se Serbia do të jetë një nga vendet në të cilat Zagrebi zyrtar do të duhet të japë një mendim në këtë debat.

“Ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen e demokracisë, gjendjen e të drejtave të njeriut, luftën kundër korrupsionit dhe reformat që nuk po zbatohen në përgjithësi,” tha ai.

Sipas tij, Kroacia është një “anëtare e përgjegjshme e NATO-s dhe BE-së dhe është e sigurt që rruga evropiane e Serbisë kalon gjithashtu nëpër Kroaci”.

Grliq-Radman shton se Kroacia do të marrë pjesë në vlerësimin e arritjeve të Serbisë në Kapitujt 23 dhe 24.

Kreu i diplomacisë kroate tha gjithashtu se Kroacia, për sa i përket të drejtave të pakicave, është “një paradigmë në kontekstin evropian, shembulli më i mirë i arritjes së atyre standardeve”.

Ai shtoi se pakica serbe ka tri ulëse të garantuara në parlament dhe se Kroacia është një nga vendet e pakta në BE që ka një politikë të pakicave të zhvilluar në këtë mënyrë.

Ai tha se ky nuk është rasti në Serbi, pasi që Beogradi nuk respekton marrëveshjen ndërkombëtare nga 2004, e cila siguron reciprocitet.

Sa për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivat e tyre për t’u bashkuar me BE, ai tha se ishte një proces i bazuar në arritjet e tij, duke theksuar Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

“Unë mendoj se me atë rend, vendet mund të hyjnë pak në BE, të përshpejtojnë procesin e tyre,” tha ministri kroat./KP

Vulin i përgjigjet kryediplomati kroat: Nëse rruga për BE kalon përmes Kroacisë, më mirë mos të udhëtojmë

Kryediplomati kroat: Serbia ta njohë Kosovën sepse rruga e tyre për në BE kalon edhe nga Kroacia

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa prej tyre ishin aq spektakolare sa janë kthyer në…