Kryediplomati britanik: Marrëveshja bërthamore me Iranin mund të shpëtojë

15 korrik 2019 | 15:11

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) janë duke u përpjekur të gjejnë mënyra për të ulur tensionet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe për të bindur Teheranin që të zbatojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, pavarësisht tërheqjes së ShBA-së.

Përpara takimit të sotëm në Bruksel, sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, ka thënë se ka ende kohë për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore.

Hunt ka thënë se edhe pse Uashingtoni është aleati më i afërt i Britanisë, Londra nuk pajtohet me të për mënyrën e trajtimit të krizës me Iranin.

“Irani është ende larg zhvillimit të armës bërthamore”, u ka thënë Hunt gazetarëve, përpara takimit me homologët evropianë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është tërhequr nga marrëveshja bërthamore vitin e kaluar dhe ka rikthyer sanksionet e ashpra ekonomike kundër Iranit.

Trumpi ka thënë se marrëveshja nuk ka qenë e ashpër mjaftueshëm, sa për ta penguar Iranin nga krijimi i armës bërthamore.

Për rrjedhojë, Irani, në fillim të këtij muaji, ka nisur të pasurojë uranium përtej kufijve që parasheh marrëveshja bërthamore.

Me këtë veprim, Irani është thënë se synon t’iu bëjë presion fuqive evropiane që të gjejnë mënyra për t’ia lehtësuar sanksionet amerikane.

Por, me uranium të pasuruar, Irani potencialisht mund të krijojë edhe armën bërthamore.

Të dielën, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm të negociojë me Shtetet e Bashkuara nëse Uashingtoni u jep fund sanksioneve ekonomike.

Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, e ka hedhur poshtë propozimin e Rohanit.

Britania, Franca dhe Gjermania, të cilat kanë mbetur pjesë e marrëveshjes bërthamore, ashtu si edhe Rusia dhe Kina, u kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të marrin në konsideratë pasojat e mundshme të veprimeve të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shpikës dhe sipërmarrës francez fluturoi të dielën mbi “Champs…