Kryediplomati i Shqipërisë sot viziton Kosovën

16 janar 2024 | 08:23

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, sot do të ketë takime në Kosovë.

Kryediplomati shqiptar do të pritet nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Takimi mes ministres Gërvalla dhe ministrit Hasani do të zhvillohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ndërsa pas takimit bilateral dy homologët do të deklarohen për media.

Sipas agjendës, Hasani do të ketë takim edhe presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjucfa, zv/kryeministrin Besnik Bislimi dhe përfaqësues të partive politike.

Ndryshe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, pas vizitës në Kosovë, do t’i vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Vizita synon të thellojë dhe konkretizojë më tej bashkëpunimin mes vendeve, si dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Vizitat do të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, çështjet e sigurisë dhe të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian.

Ministri Hasani do të pritet të mërkurën në Shkup nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri Dimitar Kovachevski dhe zëvendëskryeministrat Artan Grubi dhe Bojan Marichic. Ministri Hasani do të zhvillojë takime edhe me liderët e partive politike shqiptare.

Ndërsa në Mal të Zi, ditën e enjte, ministri Hasani do të takohet në Podgoricë me homologun Filip Ivanovic, presidentin Jakov Milatoviç, zv/kryeministrin Nik Gjeloshaj dhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve dhe kryetarët e partive politike shqiptare të Malit të Zi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një rrëfim për masakrën që tronditi diplomacinë botërore e…