Kryengritja e Myzeqesë e vitit 1835

17 nëntor 14:27

Myzeqeja është një krahinë me histori të ndritur dhe tepër të lavdishme. Ajo ka qenë shumë e dëgjuar qysh nga kohët më të vjetra. Gjatë periudhës së Lashtësisë, ky vend quhej me emrin Taulantia. Për taulantët, paraardhësit e popullit myzeqar, kanë shkruar me respekt edhe vet baballarët e historisë botërore, si dhe penat më të fuqishme të antikitetit.

Ata kanë treguar qartë se kush qenë stërgjyshërit tanë plot lavdi, që jetuan në këtë fushë të bukur dhe midis tre lumenjve, që nga Vjosa, Semani dhe deri sipër Shkumbinit në veri. Kjo është një pasuri me vlera tepër të mëdha dhe shumë e ç’muar për ne dhe tërë kombin tonë. Ne duhet t’u jemi shumë mirënjohës këtyre kolosëve të dijes për këtë dhuratë që na kanë lënë dhe njëkohësisht ta ndjejmë veten krenar për të parët tanë me mbretin e tyre Glauk, që i dolën zot gjithë Ilirisë në ato kohëra të largëta.

Kur lexon historinë e Myzeqesë, të mbushur plot me kryengritje, luftëra dhe beteja të vazhdueshme, atëherë mund ta njohësh më mirë jetën e këtij populli, përpjekjet dhe sakrificat e mëdha heroike të tij, që ai ka bërë nëpër shekuj e me mijëra vjet për mbrojtën e trojeve të veta, nga të gjithë okupatorët e huaj, sa herë që shkelën në këto anë.

Nëpër rreshtat e çdo shkrimi, vargu poezie, teksti kënge, fjale, legjende e gojëdhëne, kush shkroi, këndoi, tregoi dhe foli për këtë vend të bekuar, për këtë parajsë hyjnore dhe fushë bukurisë, shfaqen madhërishëm edhe cilësitë e larta të myzeqarëve, bujaria, besa, trimëria, patriotizmi, dashuria për dije e kulturë, shpirti prej artisti dhe gjithë traditat e tjera të mrekullueshme të këtyre njerëzve plot zakone fisnikërie, që qëndruan të fortë e të pa lëkundur gjatë tërë historisë.

Prej këtej mendja të shkon vetiu te poema “Ashtu Myzeqe” e poetit dhe shkrimtarit tonë të dashur nga Palasa e Himarës Aleks Çaçi, në vargjet e tij të fuqishme, me të cilat ai u tregon të gjithëve se kush është kjo krahinë, kaq famoze ku thuhet: “…Myzeqeja e kryengritjeve, Myzeqeja e lirë…”.

Dhe jo vetëm kaq, por befas të zgjohen edhe kujtime të tjera, për fjalët e bukura, por të merituara që kanë thënë e shkruar për këta njerëz kaq të mirë edhe vigan të tjerë, shqiptar e të huaj, të botës së dijes, diplomacisë, artit, shkrimit e të letrave si konsulli francez François Pouquville, rilindësi erudit shkodran Zef Jubani, filozofi, dijetari, publicisti Sami Frashëri, poeti Naim Frashëri, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare e mjaft të tjerë.

E gjithë jeta e popullit myzeqar, por edhe e të parëve të tij është e mbushur plot me kryengritje, luftëra dhe beteja të famshme e legjendare, që historia botërore i përmend edhe sot për heroizmin dhe vlerat e tyre.

Paraardhësit e këtij populli hyjnor, taulantët, që kanë jetuar nëpër këtë fushë gjatë gjithë bregdetit, që nga Narta dhe deri në afërsi të Durrësit, qenë me famë dhe shumë të dëgjuar. Kryeqendra e atdheut të tyre me emrin Taulanti, ishte qyteti i bukur i Arnisës, e cila u zbulua kohët e fund përmbi kodrat e Babunjës, në afërsi të Divjakës. Ata kanë qenë tepër të shquar në ato kohëra për guximin dhe trimërinë e tyre të rrallë, pasi ishin edhe luftëtar shumë të zot. Për këto cilësi taulantët zunë vend të nderuar edhe në veprën “Iliada” të Homerit, ku ai i përmend ata me respekt të veçantë e ndër të tjera thotë : “ … dardanët, taulantët dhe Enkelejdë kanë luftuar kundër akejve në Betejën e Trojës, si aleat të mbretit Priami e Hektorit për mbrojtjen e Trojes…”.

Po kështu edhe Tuqididi, kur shkruan për luftën e Peloponezit, që u zhvillua midis ushtrisë së Athinës dhe asaj të Spartës, ndër të tjera tregon :

“…Taulantët hynë në luftë në përkrahje të Spartës gjatë luftimeve në gadishullin e Peloponezit…ky fis tregoi trimëri të fort e të pa trembur…”

Ndërsa në vitin 335 p.e.r, taulantët të drejtuar nga prijësi i tyre Glauku, gjatë betejës së famshme të Pejlonit, në jug të Beratit, mundën keq edhe ushtrinë e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Kjo fitore kaq e bujshme u dha atyre të drejtën që të rikrijonin e udhëhiqnin përsëri shtetin ilir dhe ti kthenin krenarinë e dikurshme që kishte pasur ai popull, i cili i dha edhe emrin e tij gadishullit tonë, “Ilirik”, që sot ja ndryshuan në Ballkan.

Aty rreth vitit 313 pk, kur Aleksandri i Maqedonisë rrëzoi nga froni mbretin epirot Ajakid, prijësi i taulantëve Glaukia, ndërhyri urgjent me forcat e tij dhe e mori në mbrojtje Pirron e Epirit 2- vjeçar, duke e strehuar atë në oborrin e tij të Arnisës, në Myzeqenë e sotme. Pas disa vjetësh në vitin 309 pk, mbreti i taulantëve Glaukia me një ushtri të fort ilire, u futë ushtarakisht në Epir për të dytën herë, rrëzoi me forcën e armëve Alketin pro-maqedonas dhe në vend të tij hipi në fron Pirron e Epirit tashmë 12-vjeçar.

Siç shihet të parët e myzeqarëve, taulantët, jo vetëm që kanë qenë prezent duke luftuar në të gjitha betejat më të mëdha ja historike të kohës së vjetër, por edhe mjaft të dëgjuar për trimëritë dhe fitoret e tyre, në atë periudhë. Ndërsa historia botërorë i ka vënë taulantët dhe pasardhësit e tyre myzeqarët në piedestal nderi, historianët tanë që vuajnë ende prej nostalgjisë primitive krahinore, i kanë lënë ata qëllimisht në hije, jashtë historisë së Shqipërisë.

Një histori e tillë luftërash dhe betejash të pandërprera, në Myzeqe ka vazhduar edhe gjatë periudhës së Mesjetës. Populli myzeqar i ka mbrojtur gjithmonë me gjak e sakrifica trojet e tij nga çdo invador i huaj, që ka tentuar ti prek atij lirinë, duke luftuar kundër tyre me heroizëm të pashoq. Këtu në Myzeqe filloi edhe lufta jonë e gjatë legjendare kundër hordhive osmane, që po përgatiteshin për të pushtuar dhe islamizuar me dhunë të gjithë gadishullin tonë ilirik. Më 18 shtator 1385 në Savër të Lushnjës u bë një betejë mjaft e përgjakshme midis ushtrisë turke e ftuar tradhtisht për ndihmë nga Karl Topia i Durrësit dhe forcave tona, ku mbeti i vrarë edhe princi Balsha i II-të i Shkodrës. Për këtë betejë legjendare, që i bënë nder gjithë historisë së kombit tonë, e cila mbeti për shekuj në errësirë, ne vetëm tani kemi një informacion të plot, që na flet qart rreth zhvillimit të saj. Për ndriçimin e kësaj ngjarje historike duhen falënderuar dy intelektualët e shquar lushnjar, zotërinjtë Niko Ferro dhe Andrea Liko, të cilët me artikullin e tyre të botuar më 10 korrik 2014, na tregojnë hollësisht se si ka ndodhur ky konflikt ushtarak me okupatorët osmanlinj.

Pas kësaj ngjarje, katër vjet më vonë, më 15 qershor 1389 -të, rreth 2500-3000-jë luftëtar nga nahija e Myzeqesë, nën drejtimin e prijësit të tyre legjendar Teodor Muzaka, shkuan drejt Dardanisë, për të luftuar edhe në Betejën e Fushë-Kosovës kundër ushtrisë osmane. Ata ishin nga forcat më të përgatitura midis trupave aleate ilirike dhe për këtë arsye u caktuan në frontin kryesor të luftimit, përball Sulltan Muratit të I-rë. Gjatë kësaj beteje mjaft të ashpër, u vra heroikisht duke luftuar edhe ky princ i shquar myzeqar mjaft i përmendur në luftërat e tij antiturke. Fatkeqësisht edhe kjo ngjarje u la gjithmonë në pluhurin e harresës, nga akademikët dhe historianët e shtetit shqiptar, sikur të mos kishte ekzistuara fare.

Luftën tonë të shenjtë heroike kundër uzurpatorëve aziatik të Anadollit e vazhdoi më me trimëri një tjetër princ myzeqar, i dalë nga dera e Muzakëve. Aty rreth viteve 1433-1435 në Myzeqe shpërtheu një kryengritje tepër e fuqishme antiosmane. Në krye të kësaj u vu menjëherë Teodor Muzaka i Ri, i cili me forcat e veta gjatë betejës frontale me ushtrinë turke, arriti ta shpartalloj atë, çliroi qytetin e Beratit dhe mori nën kontroll kështjellën e tij. Humbja e kësaj beteje qe një goditje dhe turp i rënd për sulltanin turk, i cili në vitin 1438 dërgoi një ushtri tepër të madhe me në krye Turhan Pashën, duke rrethuar përsëri Beratin. Edhe këtë herë taborët osman u thyen keq nga forcat tona të drejtuara nga princi ynë Teodori i Ri.

Më 26 korrik 1455 ushtria shqiptare e komanduar nga Muzak Topia rrethuan kalanë e Beratit, dhe urdhëruan forcat e garnizonit turk që brenda dhjetë ditësh të dorëzonin kështjellën, pasi fitorja mbi ta ishte tepër e sigurt, duke mos patur asnjë mundësi tjetër shpëtimi. Mungesa e përvojës, ulja e vigjilencës ndaj një armiku të egër si osmanlinjtë, dërgimi i një pjese të ushtrisë me një mision tjetër çlirimtar dhe tradhtia e Moisi Golemit, solli një disfatë tepër fatale e të rëndë për forcat tona. Ushtria turke e drejtuar nga gjenerali i saj Isa Bej Evrenezi e shfrytëzoi me dinakëri këtë situatë dhe duke sulmuar në mënyrë të befasishme e mundi keq ushtrinë tonë, ku u vranë qindra luftëtar. Pasojat e humbjes së kësaj beteje i vuajti për shumë kohë mbi shpatullat e tij edhe populli myzeqar, që u masakrua barbarisht dhe pa mëshirë prej spahinjve e akënxhinjve të Stambollit.

Dështimi i hidhur në Berat me asqerët turq, që i kushtoi mjaft shtrenjtë forcave tona dhe nahijes së Myzeqesë, nuk e uli aspak intensitetin e luftës tonë kundër pushtuesve osman. Pa kaluar shumë kohë, në verën e vitit 1457 -të u zhvillua Beteja e Pirgut. Ushtria e Skënderbeut së bashku me popullin myzeqar sulmuan forcat turke në këtë qytet, duke i mundur ato plotsisht dhe morën në kontroll portin e rëndësishëm në grykëderdhjen e lumit Seman, që komunikonte me tërë botën e jashtme. Kjo fitore jo vetëm që ngriti më lart moralin e ushtrisë dhe të popullit tonë, por i dha mundësinë edhe Mbretërisë së Napolit dhe aleatëve tanë të tjerë, që të lundronin lirisht deri në afërsi të Beratit, për të dhënë ndihmën e tyre kundër pushtuesve otoman. Informacioni që mund të na tregoj dhe flasë gjithçka edhe rreth kësaj ngjarje, vazhdon të qëndroj akoma nëpër arkiva, pasi mungon interesimi i specialistëve tanë të kësaj fushe, që duhet ta kryejnë një detyrë të tillë.

Populli i Myzeqesë arriti një fitore tjetër të rëndësishme kundër ushtrisë osmane edhe në Betejën e Mbrostarit, afër qytetit të Fierit, që u zhvillua në verën e vitit 1481-ë. Me ndihmën e Mbretërisë së Napolit, në krye të një ushtrie të fort, mbërriti në grykën e lumit Seman, djali i Skënderbeut, Gjon Katrioti i Ri. Duke shfrytëzuar gjemitë e tij të shpejta dhe lundruar gjatë natës, ai mundi të arrij me forcat e tij deri në fshatin Mbrostar dhe i bëri ato gati për luftim. Të gjithë luftëtarët dhe populli myzeqar që e prisnin me padurim dhe për dekada të tëra një ditë të tillë, i uruan princit tonë të ri mirëseardhjen dhe u bashkuan shumë shpejt me ushtrinë e tij. Në betejën e përgjakshme që u zhvillua midis forcave tona dhe hordhive turke të komanduara nga Sulejman Pasha, në saj të aftësive dhe heroizmit që treguan luftëtarët tanë me Gjon Kastriotin e Ri, taborët e këtij gjenerali turk u shpartalluan plotësisht dhe fitorja pati një rëndësi tepër të madhe gjatë asaj periudhe.

Qysh nga koha e kësaj beteje, në kujtesën e popullit myzeqar ruheshin ende për qindra vjetë disa vargje të një kënge tepër të vjetër kushtuar kësaj fitore, ku ndër të tjera thuhet : “ Po thonë mbreti prapë u ngjallë, por këtë radhë dërgoi djalë, me gjemitë erdhi nga deti, u gëzua shumë dhe mileti”. Këto vargje janë kënduar brez pas brezi në fshatrat Korkutas, Petoshaj, Nikas, Mujalli, Matkëz, Daullas, Gracalli, Petovë, Mbrostar, Kolonjë, Pojan, Shën Pjetër e tjerë deri në vitet 1930-të e më vonë dhe ndoshta pa e ditur se për cilin mbret bëhej fjalë. Një tekst kënge kushtuar kësaj lufte të ashpër që u zhvillua kundër forcave pushtuese osmane në të dy brigjet e lumit Seman, na e sjellë edhe zoti Andi Apolloni.

Beteja e Mbrostarit 1481. (Po thonë mbreti prap u ngjallë)

——————————————-

1.

Po thonë mbreti prap u ngjallë

U gëzuan shumë dhe mileti

Këtë behar dërgoi vet djalë

Me gjëmitë erdhi nga deti

2.

Se ç’na mbritën ca habere

Valët mbi Seman se ç’u nxinë

Pa bërë zhurmë, pa bërë potere

Varg gjemitë shkuan tërë qëndinë

3.

Mbushur plot me kordhëtar

Disa flisnin gjuhën tonë

Të gjithë trima e luftëtar

Iknin shpejt sikur qenë vonë

4.

Përpjetë lumit i janë ngjitur

Nëpër terr porsi komit

Në Mbrostar se ç’kanë mbërritur

Të gjithë zbritën nga gjemitë

5.

Menjëherë e dhanë kushtrimin

U bënë bashkë burrat e dheut

Për vatan tërë bënë betimin

U printe i biri i Skënderbeut

6.

Nisi shpejt me vrull beteja

Qe e ashpër dhe kësaj radhë

Në këmbë u ngritë tërë Myzeqeja

Se ç’u ndez një luftë e madhe

7.

Bini ore djemtë e Myzeqesë

Thërriste Gjoni i Gjergj Kastriotit

Asnjë turk gjallë të mos mbesë

Por si i Ati, dikur që motit

8.

Në çdo anë shpatat krisën

Edhe gjaku mbuloi tokën

Turqit tërë ç’u lemerisën

Nëpër lum të mbronin kokën

9.

U mbush lumi plot me gjak

Sa u skuq ujët e Semanit

Sot or vëllezër morëm hakë

Dhe ne i dolëm zot vatanit

10.

Na shpëtoi ky Sul Pashai

Shumë dinak qe ujku i vjetër

Por me kokë prap do ti laj

Tërë gjynahet herën tjetër

11.

Ta dinë mirë gjithë turçelinjtë

Për ne trualli është i shenjtë

Dhe kësaj here osmanlinjtë

E paguan haraçin shtrenjtë

__________________________________

Historia e kombit tonë mbeti gjithmonë si “mollë e ndalueme” dhe me porta të mbyllura edhe për këtë betejë heroike, që u zhvillua kundër ushtrisë turke në krahinën e Myzeqesë, pasi ajo nuk u përfshi kurr në librin e saj.

Edhe gjatë verës së vitit 1603, në Myzeqe filloi një lëvizje tjetër kundër regjimit pushtues osman. Qendra e kësaj revolte si gjithmonë përsëri ishin fshatrat Libofshë dhe Kolkondas, tashmë të njohura publikisht për aktivitetin e tyre antiturk. Lëvizja u zgjerua pothuajse në të gjithë krahinën e Myzeqesë dhe me gjerë, duke u shndërruar në një kryengritje. Populli Myzeqar i shfrytëzuar gjerë në palcë prej zgjedhës së Stambollit, rroku armët dhe u ndesh me forcat e xhandarmërisë së tij, duke e kundërshtuar me vendosmëri pagesën e taksave dhe shlyerjen e detyrime të vendosura prej okupatorit. Qindra dhe mijëra myzeqarë sulmuan depot dhe magazinat e shtetit turk, rrahën tagrambledhësit dhe dolën hapur me kërkesa politike, duke kërkuar largimin e pushtuesve nga vendi ynë.

Perandoria Osmane e shqetësuar shumë nga kjo kryengritje që nuk kishte ndodhur në asnjë pjesë tjetër të saj, grumbulloi forca të shumta ushtarake në Myzeqe dhe pasi rrethoi Libofshën me fshatrat e tjera përreth, e shtypi kryengritjen me dhunë dhe bëri një masakër në popull, duke vrarë, burgosur dhe dënuar qindra myzeqar.

Porta e Lartë e drejtuar nga sulltan Mahmudi i II-të, aty rreth vitit 1826 nisi të ndërmarrë një sërë reformash tepër të rëndësishme, në fushën ekonomike dhe atë ushtarake. Kryerja e tyre kishte si qëllim forcimin e ekonomisë dhe të ushtrisë osmane, në përshtatje me sfidat e kohës, të cilat kishin filluar të shkonin ndjeshëm drejt dobësimit dhe përkeqësimit të tyre. Në vitin 1832 këto reforma filluan të bëheshin edhe në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë dhe drejtimin e rreptë të qeveritarëve të lartë rajonal perandorak. Reforma ekonomike osmane synonte rritjen dhe shtimin e taksave e të detyrimeve ndaj popullit, që ai duhej ti jepte regjimit okupator turk. Këto ndryshime në fushën ushtarake parashikonin që rekrutët e rijnë të kryenin 15 vjet shërbim të detyrueshëm ushtarak në ushtrinë e perandorisë turke. Ngritja ushtar do të fillonte në moshën 15 vjeç dhe do të përfundonte në moshën 30 vjeç, kurse shërbimi do të ndahej në dy faza.

Faza e parë e këtij shërbimi ose (Asakiri Mansure), do të kryhej jashtë vendit nga vinte rekruti, nëpër shtete të tjera dhe do të zgjaste 7 vjet(nga 15-22 vjeç), ndërsa faza e dytë ose (Redif Mansure) si rezervist, do të realizohej brenda nahijes(krahinës) së çdo rekruti, duke zgjatur 8 vjetë (nga 22-30 vjeç).

Kjo reformë e autoriteteve qeveritare turke, si kudo edhe në Shqipëri, u prit me indinjatë të thellë, duke e kundërshtuar atë hapur dhe në veprime të guximshme antiosmane, pasi ajo po rriste akoma më tepër shfrytëzimin e egër ndaj popullit tonë nga regjimi ushtarak osman. Të pa kënaqur nga taksat e rënda, varfëria e madhe, reforma ushtarake, ushtrimi i dhunës, mohimi i gjuhës, shkollave shqipe dhe të drejtave të tjera kombëtare, krahina e Myzeqesë u ngrit përsëri në revolta të vazhdueshme antiturke .

I ndodhur në këto rrethana tepër të rënda, gjatë muajit shtator 1833, populli i Beratit dhe ai i Myzeqesë u çuan në kryengritje të armatosur kundër pushtetit turk. Ata morën nën kontroll shumë shpejt kalanë dhe parashtruan kërkesat e tyre për heqjen e taksave, vendosjen e zyrtarëve shqiptar në administratën osmane e tjerë. Përball kushteve të tilla, duke parë forcën e kryengritësve dhe situatën e disfavorshme në krahina të tjera të Shqipërisë, qeveria turke plotësoi urgjent kërkesat që të përfundonte kryengritja.

Një vit më vonë, në vjeshtën e vitit 1834, populli i Beratit për të marrë në mbrojtje disa djem të tij ushtar, që kishin ardhur me leje nga Stambolli dhe refuzonin të ktheheshin përsëri pran ushtrisë turke, u çua në kryengritje. Kësaj revolte ju bashkua menjëherë edhe populli i Myzeqesë dhe krahinave të tjera. Kryengritësit mbyllën qeveritarët në kala dhe thirrën urgjentisht ushtarakun dhe liderin popullor Tafil Buzi, për veprime të tjera luftarake kundër okupatorëve osman. Rreth këtij kapedani trim u mblodhën shumë shpejt 10 mijë forca kryengritëse, të cilat sulmuan depot dhe magazinat turke, duke ja u dhënë popullit falas prodhimet e tyre bujqësore, të grabitura me dhunë nga xhandarët e Stambollit. Kryengritja përfundoi vetëm atëherë kur Porta e Lartë e detyruar me forcën e armëve, realizoi të gjitha kërkesat e kësaj kryengritje.

Megjithëse sulltanët e Turqisë plotësonin ndonjë kërkesë, sa herë që populli myzeqar çohej në kryengritje kundër regjimit turk, përsëri ai jetonte i shtypur dhe në varfëri ekstreme prej zgjedhës së okupatorëve të huaj osman. Vendosmëria e Sulltanit turk për të kryer me insistim reformën ushtarake edhe në Shqipëri e cila parashikonte ngritjen e djemve ushtar në moshë të re dhe shkëputjen nga familjet e tyre për një kohë të gjatë prej një dekadë e gjysmë, e revoltoi edhe më shumë popullin myzeqar.

Më 24 maj 1835 ai u ngrit përsëri në kryengritje të armatosur kundër regjimit të Anadollit e cila u përhap në të gjithë krahinën e Myzeqesë. Në krye të kësaj revolte për drejtimin e saj u vunë tre luftëtar të shquar myzeqar antiturq, Alush Frrakulla nga fshati Frrakull i Fierit, që vepronte në jug dhe Filip Zhuka nga Xengu i Divjakës së bashku me Trifon Lalën nga Biçukasi, të cilët operonin në veri të kësaj nahije. Pas kushtrimit që dhanë këta tre trima, rreth tyre u mblodhën mbi 7000 mijë kryengritës myzeqar nga e gjithë krahina, që nga lumi i Shkumbinit dhe deri poshtë në Vjosë. Duke parë përmasat e këtij konflikti, eliminuar përçarjet, ndasitë e ndryshme fetare, konsoliduar më shumë unitetin brenda radhëve të kryengritësve, si dhe për të vlerësuar me drejtë situatën, të tre burrat e mëdhenj myzeqar shkuan në fshatin Portëz me një pjesë të luftëtarëve edhe parinë e vendit. Në këtë fshat ata mblodhën një kuvend, i cili edhe sot njihet si “Besëlidhja e Portëzës”.

Gjatë këtij kuvendi u miratua një platformë pune për arritjen e qëllimeve të kryengritjes dhe plotësimin e kërkesave të saj nga ana e regjimit turk. Besëlidhja e Portëzës vendosi që të kryhen me urgjencë një sërë detyrash dhe konkretisht:

1-Të formohet menjëherë ushtria e përhershme myzeqare, për mbrojtjen e popullit të krahinës nga sulmet e ushtrisë dhe xhandarmërisë turke.

2-Të lidhet besa dhe bëhet betimi, për t’a çuar deri në fund programin e kryengritjes.

3-Të rritet roli drejtues i pleqësisë në kryengritje.

4-Ti bëhet thirrje gjithë popullit dhe parisë së vendit, për të ndihmuar dhe mbështetur kryengritjen.

5-Tu dërgohet kërkesë krahinave të tjera, që të përkrahin kryengritjen e Myzeqesë dhe të ngrihen në protesta për të drejtat e tyre të ligjshme kundër pushtetit turk.

6-Komandant i kryengritjes u zgjodh Alush Frrakulla dhe zv.komandant i saj luftëtari trim Filip Zhuka, kurse Trifon Lala u caktua si komandant instruktor për stërvitjen dhe përgatitjen luftarake të kryengritësve.

7-Të mos njihet asnjë lloj kompromisi, për ti bërë lëshime Portës së Lartë, pa miratimin e “Besëlidhjes” që binte në kundërshtim me të drejtat dhe interesat e popullit të Myzeqesë.

Pas përfundimit të mbledhjes së “Besëlidhjes”, me urdhër të komandës së kryengritjes, luftëtarët thyen depot dhe magazinat turke nëpër çifligje dhe i kthyen popullit gjithë prodhimin e vjedhur me forcë nga taksidarët turkoshak. Nën udhëheqjen e Alush Frrakullës dhe të Filip Zhukës, kryengritësit shkuan drejt qendrës së sanxhakut, në qytetin e Beratit. Edhe populli i këtij qyteti, rroku armët dhe u bashkua me forcat tona kryengritëse. Nëpër rrugët e këtij qyteti u bënë luftime shumë të përgjakshme. Brenda një kohe të shkurtër, kryengritësit shpartalluan plotësisht të gjithë xhandarët e garnizonit osman dhe sulmuan kalanë, duke e mbajtur atë të rrethuar, sepse nuk arritën dot që ta merrnin, për shkak të fortifikimit të saj të madh. Porta e Lartë u tronditë shumë nga kjo kryengritje dhe duke parë përmasat e saj, zgjodhi rrugën diplomatike e të dinakërisë dhe jo atë të luftës e konfrontimit me kryengritësit, sepse situata nuk e favorizonte një veprim të tillë të dhunshëm ushtarak, që nuk dihej se si mund të përfundonte. Për këtë qëllim qeveria e Stambollit ngarkoi valiun e Rumelisë, Mahmut Hamdi Pasha, të cilit i dha kompetencat e nevojshme, mbështetjen e plot dhe mjetet e duhura për realizimin e këtij misioni antishqiptar. Me urdhër të Anadollit, thuhet se Mahmut Pasha i dërgoi me urgjencë një shkresë Alush Frrakullës e Filip Zhukës dhe i ftoi komandantët për një takim në rezidencën e tij. Kjo ftesë djallëzore e pashait turk, u refuzua me neveri dhe përbuzje nga këta lider trima myzeqar. Të dy drejtuesit kryesor të kësaj revolte, i kërkuan Mahmut Pashës që të plotësonte sa më shpejt të gjitha kërkesat e parashtruara nga kryengritja. I ndodhur në këtë situatë të vështirë, valiu Rumelisë autorizoi qeveritarin turk të tre sanxhakëve të Shqipërisë së Jugut, Emin Pasha, që të hidhte në veprim planin e nxitjes së tradhtisë nga brenda, midis radhëve të kryengritësve. Guvernatori osman Emin Pasha, ftoi në sarajet e veta disa krer të njohur si shërbëtor besnik të shtetit turk nga kjo trevë, dhe konkretisht Tahir Abazin, Avdyl bej Kokën, Ago bej Vasjarin e të tjerë. Qeveritari i Anadollit, pasi i udhëzoi dhe shpërbleu me qeset e floririt këta hafije, i dërgoi ata me mision sekret në krahinën e Myzeqesë dhe Berat. Me të mbërritur në destinacion, këta bejler turkoshak filluan nga kryerja e detyrave të tyre sipas porosive të marra nga pashai osman. Ata morën takime me shumë krerë të kryengritjes dhe u bënë atyre thirrje për ndërprerjen e saj, largimin nga rruga e luftës dhe uljen në bisedime me qeveritarët e Stambollit, për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Në të njëjtën kohë këta bashkëpunëtor të regjimit turk, u premtuan edhe vende pune në administratë, në ushtri, poste ushtarake, prona, toka bujqësore dhe shpërblime të tjera, që do të jepte qeveria turke për të gjithë ata që do të braktisnin kryengritjen. Kështu gradualisht kjo veprimtari sabotuese e bëri efektin e vet dhe së bashku me vështirësitë e pakënaqësitë e tjera që lindën në radhët e drejtuesve të kryengritjes, ato çuan në largimet e shumë luftëtarëve prej saj, derisa u vu në pikëpyetje e gjithë kryengritja. Të ndodhur në kushte të tilla, drejtuesit e revoltës hoqën rrethimin e kalasë dhe po mendonin shpërndarjen e kryengritjes. Në këto momente forca të mëdha të ushtrisë turke, që kishin ardhur për këtë qëllim nga Janina dhe Manastiri, filluan një sulm të pabesë ndaj kryengritësve, ku u bënë luftime mjaft të ashpra me kryengritësit, të cilët u larguan nga Berati. Komandanti Alush Frrakulla së bashku me shumë luftëtar besnik u tërhoq në vendlindjen e tij Frrakull, ku mori edhe masat e nevojshëm për tu mbrojtur nga ndonjë sulm i hordhive osmane. Megjithë qëndresën heroike që i bënë taborëve turq të rrethuar prej tyre, më në fund kryengritësit u detyruan të dorëzohen edhe në Frrakull, kurse Alush Frrakulla me 150 -të luftëtar u kap rob dhe u dërgua në Stamboll, ku u dënua me punë të detyrueshme në vendin e internimit. Ndërsa komandanti i kryengritjes u kap dhe dënua nga regjimi osman, zv.komandanti i saj Filip Zhuka, me një grup të vogël luftëtarësh u strehuan në pyjet e Grabianit dhe kënetën e Tërbufit, ku xhandarët turq nuk kishin asnjë mundësi për ta zbuluar e ndjekur atë, qoftë edhe me hafijet e tyre që kishin paguar e dërguar herë pas here në këtë zonë, për t’a futur në dorë, ose likuiduar atë fizikisht. Përkundrazi shqiponja trime e Myzeqesë e vazhdonte pa u shqetësuar fare aktivitetin e vet kundër okupatorit turk, ditën dhe natën, duke shkuar edhe në krahina të tjera, atje ku e priste detyra e ku e thërriste aksioni. Ai me koburen e tij, u bë tmerr për çdo redif dhe gjeneral osman dhe njeriu më i dashur për popullin e Myzeqesë, Elbasanit, Kavajës e tjerë . Pa kaluar shumë kohë, Filip Zhuka në krye të luftëtarëve myzeqar, rroku armët dhe mori pjesë edhe në “Kryengritjen e Bradasheshit”, Elbasan në shtator 1835, ku u vra heroikisht duke luftuar kundër okupatorëve turq, i cili aktualisht është shpallur dëshmor.

Megjithëse kjo kryengritje dështoi, por ajo pati një rëndësi tepër të madhe për popullin tonë, sepse e shtoi edhe me shumë urrejtjen e myzeqarëve ndaj okupatorit turk dhe e detyroi qeveritarin lokal të Edrenesë Emin Pasha, që të mos e kryej dot reformën e zezë ushtarake të perandorisë osmane në krahinën më antiturke të Myzeqesë.

Ja si e përshkruan Andi Apolloni në poemat e tij kryengritjet e Myzeqesë të vitit 1835 dhe të vitit 1840:

Kryengritja e Myzeqesë e vitit 1835.

————————————————

1.

Nuk harrohet ai vit.

Më tetëqind tridhjetë e pesë

Kur në këmbë populli u ngritë

Në çdo anë të Myzeqesë

2.

Shtatë mijë burra lanë shtëpitë.

Dhe u lidhën besa-besë

Që nga gryka e Shkumbinit

Deri poshtë gjerë në Vjosë

3.

Në duar armët se ç’i morën

Dhe në rresht nga dy qenë vënë

Lart mbi supet se ç’i hodhën

Rrugës shkuan plot me këngë

4.

Në Portëz të tërë u mblodhën

Dhe atje bënë një kuvend

Alush Frrakullën se ç’e zgjodhën

Prijës të parë dhe komandant

5.

Na e ftuan dhe Filip Zhukën

Që nga Xengu i Divjakës

Dhe në krye se ç’e ungjën

Ball-përball Alush Frrakullës

6.

Ja nderuan dhe trimit hutën.

Që kërciste gjatë tërë natës

Dhe s’guxuan t’ja prisnin rrugën

Asnjëherë asqerët e pashës

7.

Burrat shpejt morën vendim.

Me një zë dhe mëndje qenë

Ta dëbonin jashtë Turqinë

Portës Lartë me armë ti bien

8.

Menjëherë krijuan ushtrinë

Të rrethuar keq turqit mbenë

Me xhandar dhe me spahinj

Ikën vrap dhe morën dhënë

9.

Se ç’i thyejnë me forcë çifligjet

Depot turke shkuan dhe vanë

Flakë Stambolli lër të digjet

Thërrisnin njerëzit në çdo anë

10.

Morën të gjithë bereqetet

Falas popullit ja u dhanë

Dhe i zbrazën shpejt koçeqet

Turkut më asgjë s’i lanë

11.

Rrahën edhe tagrambledhësit

Në çdo cep dhe në çdo skutë

Vunë përpara të tërë vjedhësit

I kapën me radhë në drutë

12.

Edhe kusarët e xhelepit

Këta rezil dhe këta hajdutë

Që grabisnin çdo ditë njerëzit

I dendën zuzarët me hut

13.

E sulmuan me armë Beratin

Lartë i ranë që nga shkëmbinjtë

Gjaku skuqi ngado shpatin

Mori poshtë dhe tërë lëmenjtë

14.

E dogjën me zjarr xhelatin

Tymi i zi lart mbuloi qiejt

Pa e mbushur mirë sahatin

Kasabanë e morën shpejt

15.

Dhe kështjellën e rrethuan

Mbi të nisën fort qëllonin

Me këngë luftës ja filluan

Kudo trimat po këndonin

16.

Turqit brenda u tmerruan

Ndihmë Sulltanit i kërkonin

Se ç’e humbën keq toruan

Dhe nuk dinin ku të shkonin

17.

Trifon Lala që nga Biçuka

Se kish shokun, ai deli djali

Fluturonte përmbi plumba

Porsi një shqiponjë mali

18.

Vazhdimisht thërriste urra

Nga çdo shkëmb e gur stralli

Bini këtu mbi turq more burra

Tym dhe flakë kalasë ti dali

19.

Valiu i madh i Rumelisë

Ky Mahmut Hamdi Pasha

Na i çoi shpejt fjalë Turqisë

Kërkoi ndihmë, lira dhe aspra

20.

Plane shumë kishte kurdis

Dhe paratë i ndau në trasta

Ja shpërndau vet tradhtisë

Të na godiste që nga prapa

21.

Emin Pasha urgjent thirri

Nga çdo anë këta miqtë e tij

Të gjithë hafijet i ftoi qafiri

Për ta shtroi edhe një gosti

22.

Shumë dhurata ndau veziri

Mjaft peshqeshe dhe dorovi

Gurë të shtrenjtë prej xhevahiri

Mbushur qeset plot me flori

23.

Nuk bëjmë luftë ne dot me turk

Ja preu shkurt Tahir Abazi

Me një hu dhe një copë cfurk

E zbrazi mllefin nga marazi

24.

Me fshatar edhe me bujk

Dihet mirë se çfarë do të ngjasi

Do të na fus me radhë në burg

Dhe të gjithëve do të na vrasi

Sot do flasim pak më shtruar

Tha dhe ky Avdyl Bej Koka

Me Turqinë s’duhet nxituar

Se kështu do të na qeshi bota

26.

Turku prap duhet duruar

Të qëndroj këtu në këto toka

Dhe aspak s’duhet larguar

Sepse nuk ka ardhur koha

27.

Shfryu dhe Ago Vasjar Beu

Na e mburri mjaft Sulltanin

Përralla shumë për të rrëfeu

Lart në qiell e çoi dushmanin

28.

Shyqyr si thanë burrit ngrehu

Që të na merrte jataganin

Pasi këtu do të tundej dheu

Përmbi ne do të bënte namin

29.

Ti more Ago bej Vasjari

Mos na u bëj aspak merak

Të njeh mirë ty myzeqari

Duart i ke të lyerë me gjak

30.

Ti nuk je më soj shqiptari

Se je sjellë si turkoshak

Dhe si farë prej tradhtari

Sot dënimin e ke për hakë

31.

Prandaj çomi fjalë pashait

More ti palo far Agushi

Se gjithmonë lirat prej arit

Nuk u shkojnë ju tek Alushi

32.

Unë ngjaj vetëm prej babait

Kordhë e hutë nuk di ti ungji

I ruani mirë këto ditë sarajet

Sepse është dhe kohë baruti

33.

Se ky populli ynë Myzeqar

E ka pas çdo herë zakon

Nuk pranon mbi shpinë barbar

Dhe kurrë turpin se duron

34.

Djemtë e tij si hyzmeqar

Më nizam jashtë nuk i çon

As xhandar dhe as ushtar

Drejt Turqisë më si dërgon

 

Kryengritja e Karatoprakut të Myzeqesë e vitit 1840.

———————————-

1.

Viti tetëqind e dyzetë

Tjetër luftë solli seneja

Dhe maj qe më dymbëdhjetë

Se ç’u ngrit tërë Myzeqeja

2.

Kudo krisën armët shpejt

Shkrepën zjarr porsi rrufeja

Në Karatoprak u bë qamet

Filloi prap e fort beteja

3.

Burr me nam na kishte qenë

Dhe ky Gori Myzeqari

Trim i madh denbabaden

Shtëpi dhe fis prej luftëtari

4

S’pyeti fare hyqymen’ë

Dhe për asnjë lloj xhandari

Por Turqisë i luajti fenë

Në zjarr priu shokët i pari

5.

Menjëherë trimat i mblodhi

Bashkë me ta dhe pleqësinë

Para njerëzve se ç’na doli

Dhe na mbajti një fjalim

6.

Fjalë të mëdha ja se ç’u foli

Atë ditë për gjithë nahinë

Le ta marrë tha vesh Stambolli

Këtu do pritet me martinë

7.

Sepse më nuk do durojmë

Në duar pranga as zinxhir

Që të heqim dhe të vuajmë

Vazhdimisht në errësirë

8.

Por lirinë ne sot kërkojmë

Qoftë me hir a me pahir

Sepse duam të jetojmë

Porsi një shqiponjë e lirë

9.

Dhe kjo lutje e papa Jorgjit

Priftit tonë të Karavastasë

Na i dha shumë zemër popullit

Edhe një gëzim, pa masë

10.

Do t’i vëmë tha nga pas Gorit

Sikur çfarëdo që të ngjasë

Se kjo është dhe rrugë e Zotit

Kurrë nuk do të kthejmë më pas

11.

Pa ju sosur burrit fjala

Dhe pa marrë ende vendimin

Në vend mbërriti Trifon Lala

Shtatë djem nga pas i rrinin

12.

Zbritën kuajt që nga shala

Dhe me mall poq Gori trimin

Sa i bëri shumë të fala

Të dy tok e dhanë kushtrimin

13.

Pojan, Fier dhe Mbrostar

Nga Shën Pjetra në Divjakë

Në duar armët i kanë marrë

Strum dhe Luar e Shpirag

14.

Gjashtë mijë burra luftëtar

Nga çdo derë e nga çdo prag

Të gjithë trimat myzeqar

Kanë rënë shpejt në Karatoprak

15.

Është tepër e vështirë se mund të gjesh një krahinë tjetër me një histori kaq të ndritur si Myzeqeja, e cila njihet botërisht qysh nga Lashtësia, para mijëra vjetësh. Kultura, heroizmi dhe fama e madhe e këtij populli tashmë janë cilësuar si vlera të historisë botërore, ndërsa Historia e Shqipërisë i ka lënë ato qëllimisht jashtë saj dhe për shkaqe të pa justifikueshme.

Ne mendojmë se libri i historisë së Shqipërisë, kaq i rëndësishëm dhe i dashur për të gjithë shqiptarët ka mangësi, pasaktësi dhe falsifikime tepër të mëdha dhe serioze. Historishkruesit e kësaj vepre kanë qenë nën ndikimin e vjetërsuar paradoksal krahinor dhe presionin e pushtetarëve të atëhershëm, të nxitur edhe nga ish kryeministri Mehmet Ismail Shehu. Me orientim e urdhër të tij, këta kalemxhinj servil e jo profesional, me origjinë nga rrethet e politbyroistëve e zhveshën paturpësisht këtë vepër nga aktet e heroizmit legjendar të krahinës së Myzeqesë, duke filluar që nga lufta e Trojës, e Peloponezit, beteja e Savrës, e Mbrostarit, e Pirgut, kryengritjet e vitit 1832,1833, 1834, 1835, 1840 deri te kryengritja e Fierit më 1935 -së e organizuar kundër tradhtarit Ahmet Zogu, të vetëshpallur si mbret i Shqipërisë. Ky akt i tillë nuk mund të quhet ndryshe, veçse padrejtësi e nënvleftësim i hapur e i qëllimshëm ndaj popullit hyjnor myzeqar. Veprime të këaj natyre meritojnë jo vetëm kritikat më të ashpëra, por edhe duhen korrigjuar sa më shpejtë që të jetë e mundur. Ne duhet ta bëjmë këtë, për ta plotësuar sa më mirë të gjithë historinë tonë dhe për ta vënë atë mbi baza shkencore, ashtu siç e kanë edhe kombe të tjerë. Por kryerjen kësaj detyre, ne duhet t’ua besojmë historianëve të rinj, të aftë e të guximshëm si Elena Kosaqi, Irakli Koçollari, e tjerë dhe jo më lektorëve e mësuesve të vjetër të kësaj fushe, siç janë zotërinjtë Pëllumb Xhufi, Paskal Milo, Bardhosh Gace, Romeo Gurakuqi, Rami Memushi, e të tjerë, që kanë abuzuar dhe mbajnë përgjegjësi për kryerjen me mangësi të kësaj vepre me interesa të mëdha kombëtare.

Nga: Andy Apolloni, New York

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asnaira Pamansag Mugaling është bërë gruaja e pestë e Abdulrzak…