Kryesia e LDK-së përkujton Ibrahim Rugovën

02 dhjetor 2018 | 13:47

Në 74-vjetorin e lindjes së ish-presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, kryesia e LDK-së bashkë me miq dhe bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe te varri i tij.

Në emër të kryesisë së LDK-së, ka folur nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Veliu ka vlerësuar lartë figurën e Rugovës dhe në këtë ditëlindje të tij ka theksuar tipare të karakterit të tij si burrërinë, vendosmërinë dhe diplomacinë e urtësinë e tij me të cilat i bëri për vete popullin e Kosovës dhe gjithë botën.

“Rugova ishte presidenti i parë i Kosovës, i cili ëndrrat shekullore të popullit për liri, pavarësi e demokaci i projektoi bukur dhe i udhëheqi ato deri në realizimin e tyre.
Padiskutim Ibrahim Rugova ishte arkitekt i pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Veliu.

Kryesia e LDK-së, pas homazheve kanë vizituar edhe Familjen Rugova.

Në emër të kryesisë së LDK-së ka folur sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri i cili ka vlerësuar lartë punën, jetën dhe veprën e Presidentit Rugova.

Beqiri gjithashtu ka theksuar mungesën që ka lënë Rugova pas vdekjes së tij, sidomos në sfidat e sotme në të cilat po kalon vendi.

Fana Rugova ka falenderuar kryesinë e LDK-së për vizitën dhe ka falenderuar LDK-në për punën që është duke e bërë, partinë të cilën e themeloi presidenti Rugova.

Presidenti i Kosovës, i cili mbeti në histori për politikën dhe vlerat e larta të tij, ka lindur më 2 dhjetor 1944 dhe ka vdekur më 21 janar 2006.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Përfaqësues së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka…