Kryetari i BSPK-së mori pjesë në Forumin e 9-të të shoqërisë civile të Ballkanit Perëndimor

24 tetor 2023 | 15:18

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka njoftuar se në Selanik të Greqisë më 19 dhe 20 tetor Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (KESE) ka organizuar Forumin e tij të 9-të të Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor.

Forumi i 9-të i Shoqërisë Civile të Ballkanit Perëndimor mblodhi së bashku rreth 120 pjesëmarrës, përfshirë një gamë të gjerë përfaqësuesish të shoqërisë civile nga BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, si dhe përfaqësues të institucioneve të BE-së, të organizatave ndërkombëtare dhe të qeverive të rajonit.

Në mesin e të pranishmeve ishte Oliver Ropke, president i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian, Dubravka Suica, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian për Demokraci dhe Demografi, dhe Maira Myrogianni, sekretare e përgjithshme për Çështjet Ekonomike Ndërkombëtare, nga Ministria e Punëve të Jashtme, e Republikës së Greqisë.

Në këtë ngjarje madhore mori pjesë edhe kryetari i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, i cili ishte njëri ndër panelistët në panelin “Kontributi i shoqërisë civile në implementimin e Agjendës së Gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Evropës Juglindore”.

Në panelet e tjera u diskutua edhe gjendja e demokracisë në Evropën Juglindore: “testi i gjendjes” së shoqërisë civile në rrugën drejt zgjerimit të BE-së; Viti Evropian i Aftësive 2023 – Zhvillimi i aftësive gjatë të gjithë jetës në Evropën Juglindore, përmes Arsimit dhe Formimit Profesional fillestar dhe të vazhdueshëm (I-AFP/V-AFP); Garancia për arsimin, aftësitë dhe rininë në Ballkanin Perëndimor; si dhe, Formimi i vazhdueshëm profesional, përmirësimi i aftësive dhe riaftësimi në Ballkanin Perëndimor”.

Hykolli ngriti çështjen e agjendës së gjelbër, duke e vënë theksin e saj në qëndrueshmërinë mjedisore dhe mirëqenien e komuniteteve tona, të kornizës kritike për rajonin tonë në shekullin e 21-të.

Po ashtu vuri në pah se Agjenda e Gjelbër është më shumë se thjesht një angazhim për mbrojtjen e mjedisit, po është një angazhim për të ardhmen tonë të përbashkët, për një botë që është e banueshme dhe e begatë për brezat që do të vijnë.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, vuri në pah se organizatat e shoqërisë civile, si dhe BSPK-ja, kanë një rol vendimtar për të luajtur në formësimin e politikave dhe praktikave që do të na çojnë drejt një të ardhmeje më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

Ai po ashtu theksoi se BSPK-ja vepron si një urë lidhëse, duke lidhur institucionet qeveritare, sektorin privat dhe publikun e gjerë, duke siguruar që Agjenda e Gjelbër të mos jetë thjesht një grup fjalësh në letër, por një plan gjithëpërfshirës dhe efektiv për veprim.

Hykolli ua përkujtoi të pranishmëve se: “kalimi në një ekonomi të gjelbër dhe të qëndrueshme nuk duhet të bëhet në kurriz të të drejtave të punëtorëve dhe të standardeve të jetesës. Është e domosdoshme që ne të harmonizojmë Agjendën e Gjelbër me parimet e drejtësisë sociale dhe të gjithëpërfshirjes. Ne duhet të avokojmë për politika që sigurojnë një tranzicion të drejtë për punëtorët në industritë që mund të preken nga ndryshimet mjedisore. Kjo përfshin programe riaftësimi dhe rikualifikimi për të ofruar mundësi për punëtorët në sektorët në zhvillim”.

Në fund të Forumit të 9-të u miratua një deklaratë përfundimtare me rekomandime nga organizatat e shoqërisë civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
KEDS Academy është një nga programet më unike sa i…