Kryetari i FFK-së: Ne besojmë në djemtë tonë

08 dhjetor 13:31

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka folur për shortin e hedhur sot për kualifikimet në Kampionatin Botëror “Katar 2022”.

Ademi, në një lidhje direkte në Edicionin Special në Klan Kosova, tha se që nga fillimi është ditur se nuk do të ketë grup të lehtë.

“Në fakt e kemi ditur që nuk ka grup të lehtë. Ka mundur të jetë edhe më lehtë. Gjithsesi kjo pjesë e cila na ka ardhur në këtë grup realisht besoj që do të shkojë mirë. Edhe pse për të thënë që jemi të sigurt në këtë kualifikim, ndoshta është pak joreale, për faktin e kemi në grup Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë që janë ekipe të cilat kanë një reputacion shumë më të madh, sidomos Spanja e cila njihet se çfarë superfuqie botërore është në futboll. Por, gjithsesi ne besojmë në grupin tonë dhe ne besojmë në djemtë tonë”.

“Ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën me një organizim të mirë dhe sigurisht që e presim marsin dhe shpresoj që nuk do të kemi më probleme që i kemi pasur me evropianin, si infektimet me COVID-19 dhe lëndimet e lojtarëve, dhe besoj që do të jenë edhe disa futbollistë që mund të jenë. Por, ne do ta bëjmë organizimin më të mirë të mundshëm. Ne edhe përkundër që është ky grup nuk jemi dorëzuar”.

Ademi ka folur edhe për faktin se Spanja është një shtet i cili nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. Numri një i FFK-së tha se në Grupin B, ku ndodhet Kosova, janë tre shtete që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Agim Ademi pret që Spanja të vijë në Prishtinë për të luajtur ndeshjen dhe Kosova të zhvillojë ndeshjen në Spanjë, ashtu siç edhe e përcaktojnë rregullat e FIFA-s.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet gjermane konsiderojnë të vendosin masa karantine të fortë duke…