Kryetari i Zveçanit kundër zgjedhjeve përmes peticionit

16 gusht 2023 | 12:01

Kryetarit i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci është shprehur kundër nismës së Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e kryetarëve të komunave përmes nismës së peticionit. Ai ka thënë se preferon një marrëveshje ndryshe, meqë nuk e sheh të arsyeshëm shkarkimin nga “dikush tjetër”.

Në një intervistë për “Kosovapress”, Peci është shprehur optimist se do të dalë fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në katër komunat në veri të vendit.

Peci, i cili është duke vazhduar ta ushtrojë detyrën e kryetarit të Zveçanit nga një zyrë alternative në fshatin Kelmend, ka thënë se punët në përgjithësi janë duke shkuar mirë, derisa ka përmendur mungesën e qasjes në buxhet si problemin kryesor, për të cilin është shprehur se  po ju krijon probleme të mëdha.

Ai ka thënë se mban takime me qytetarë serbë të komunës që e udhëheq.

Peci ka folur edhe për shkarkimin e nënkryetares së kësaj komune, Sllagjana Pantoviq. Ai ka treguar arsyet për të cilat sipas tij është detyruar të marrë vendim për shkarkimin e saj.

I pari i Komunës së Zveçanit ka kërkuar nga qytetarët që të kenë besim në punën e tij.

Peci është kryetari i dytë që së bashku me atë të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, kryejnë detyrat nga ambientet alternative, ndërsa Lulëzim Hetemi që udhëheqë Leposaviqin është duke qëndruar brenda në komunë qe më shumë se dy muaj.

Të martën presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është duke e zbatuar me besnikëri marrëveshjen e Bratislavës, sipas të cilës janë reduktuar forcat policore në dhe për rreth objekteve komunale në komunat veriore. Ajo ka thënë po ashtu se është duke u krijuar edhe baza ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në këto komuna.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Milot Rashica është futbollisti më i ri i skuadrës së…