KTHIMI I ADEM JASHARIT NË KULLË

05 mars 2022 | 12:53

“Nëse vritem më i madh jam se vrasësi“

( Ali Podrimja)

Ai që i rri afër kullës,

Ai i rri afër Zotit,…

I rri afër Atdheut sepse,…

Në këtë kohë nuk i zihet besë njeriut, atij „njeriut“ çfarë ne i kemi fqinjët… Atij qe i lakmon kullat e huaja, i lakmon tokat e huaj, e lakmon Atdheun e huaj…Tokë me i fal shkaut nuk kam dhe qebesa as qençe nuk jetohet ma, po kthehem në Drenicë, në Kosovë…!

Kështu diçka ka thënë Adem Jashari kur në Shqipëri me 1992 i kishin thënë, të largohet diku në shtetet e perëndimit se kthimi në Kosovë do të jetë rrezik për te.

Por jo.

Ai, Adem Jashari, me dy kobure në brez, ashtu si Gjeneral Isa Boletini dikur, e mori rrugën për në kullat e Drenicës. Rrugë në rrugë, shteg në shteg e besa pritë në pritë udhëtoj gjatë nga Shqipëria deri në Prekaz. Kaloj shtigje të vështira atyre bjeshkëve shqiptare. Gjatë rrugës diçka e kishte ndalur…Një kufi që kurrë Ademi nuk e kishte pranuar. Një kufi artificial. Sa ishte lodhur e ndoshta kjo lodhje ju shtua edhe më shumë kur pa atë guri aq të madh, aq të shëmtuar që i ndante dy vëllezërit mes përmes…

U ndal. Gjatë e shikoj, herë vijën kufitare e, herë gurin e kufirit. Ju duk se ajo vijë e tërhequr me tehun e shpatës që aq gjatë kishte kulluar gjak, ajo vijë po i kalonte mbi trupin e tij kurse, guri me dy- tri shkronja qirilice po i peshonte aty ku frymon, mbi mushkëritë.

U mundua të marr frymë thellë por, jo. Guri e rëndonte.

Ia kishte ndarë dy pjesët e kraharorit, të dy mushkëritë merrnin frymë ndaras…

Ah, ky guri i kufirit?!…

E shikoj Shqipërinë, e sikur dëgjoi Aliun e Podrimjes më atë „Etydë për Shqipërinë“ „ Xhuxhe je moj/ xhuxhe je ti/ pa mua“ Pastaj, shikoj nga Kosova, por nuk foli. I kishte të pakta fjalët…

Pak fliste e, më shumë vepronte…

“Tokë me nda nuk kam/…Me vdekë duhet mësue/ Qençe

nuk jetohet ma“ ( Ali Podrimja, „Ishulli Albania“)

E tundi xhurdinë, koburen e shtrëngoj fortë.

I mati malet më sy…

Po të ishte Bajroni gjallë në shënimet e tij në „Çajld- Harold“ përveç shënimit; „ Shqiptarët përgjithësisht kanë një dukje të mirë… janë më madhështorët në botë…“ do të shënonte edhe ketë; kur Zoti i ka krijuar këta njerëz kaq madhështorë s´ka sesi të mos shpëtoj kjo tokë nga të këqijat, nga grabitqarët (?!)

He, tokë me nda nuk kam!- pëshpëriti edhe një herë Adem Jashari dhe, e nxori më rrënjë gurin e kufirit, e rrokullisi në një përrua atje të djajtë, zbriti malit e drejt rrafshit të Dukagjinit.

Netët e rrugëtimit deri në Kullën e Jasharajve i kaloj kullë në kullë, anë e kënd Kosovës.

Bisedat nuk kishin të sosura atyre netëve në odat e Kosovës. I kishin thënë: Do vritemi, Adem!…

Nëse vritem/ më i madhi jam/ se vrasësi

Ku ke parë or i uruar/ litarin nga qafa/ ta heqë i ligu“ (Ali Podrimja, “Pika e bardhë”)

 

Mendoja e çka s´mendoja kur dëgjova se Adem Jashari kishte arritur në Drenicë. Do ta kaloja bashkë me të një pjesë të pasditës, mbrëmjen dhe natën…Isha përgatitur unë në Hamburg e Adem Jashari në Drenicë…

Asnjë kobure nuk ma kishte dhënë Ademi, se ua kishte dhënë të tjerëve.

Sa shumë u kishte dhënë! Jo kobure, por zemër u kishte dhënë trimave Ademi, e ata më koburet me zemrën e Adem Jasharit, luftonin në Drenicë, në Dukagjin, në Shalë…E, kur hordhitë e egra barbare të ardhura nga Karpatet ia kishin mësye Kullës së Jasharajve, aty ku plaku Shaban Jashari( babai i Ademit dhe Hamzës) nuk e lëshonte kullën për krejt mallin e dynjasë, aty Kosova nisi të frymoj ndryshe…

Thonë se gjëmimi i topave të hasmit që ia rrihnin Kullën axhës Shaban, ishin dëgjuar larg. Shumë larg deri…

Edhe muret e Kullës kishin qëndruar deri sa dikush i kishte thënë Ademit…

Me siguri Alia i Podrimjes;

“Hap syrin/…Hija e vdekjes/

(ta) ma paska mbuluar Kullën “ (Beteja e Kosovës)

E, Adem Jashari iu kishte përgjigjur me vargjet e poetit:

Kur të vdes

Varrosmëni ku të doni

Stom një burimi

apo nën sjetull të një Mali

Vetëm ku flitet Shqipja…“

Hamburg, 1999

( Marrë nga libri “Përplasje” botoi Fakti, Shkup, 2000)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë sot se…