Kuçi premton mbështetje në “Infrakos” për Marrëveshjen Financiare për Subvencionim

22 shtator 2020 | 15:36

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi ka vizituar sot Ndërmarrjen Publike të Infrastrukturës së Hekurudhave “Infrakos”, me ç’rast është takuar me  u.d. kryeshefin e ndërmarrjes, Xhevat Ramosaj dhe pjesa tjetër e menaxhmentit të kësaj ndërmarrje.

Në këtë takim pos tjerash u diskutua për vonesën e një marrëveshje financiare për subvencionim të kësaj ndërmarrje që buron nga Ligji i Hekurudhave.

Kuçi shprehu gatishmërinë e tij që të shtyjë përpara këtë marrëveshje bashkë me ministrin Arban Abrashi.  “Për fat të keq si shumë ndërmarrje publike, edhe kjo ndërmarrje ka probleme financiare dhe ka obligime të ndryshme. Por, ne e kemi në dorë një marrëveshje që është obligative nga ligjet përkatëse, do të shikojmë edhe me ministrin Abrashi që ndoshta jemi afër për ta nënshkruar një marrëveshje të tillë, që i garanton pjesën operative të funksionimit të ‘Infrakos’”, ka thënë Kuçi.

Bashkë me zyrtarët e “Infrakos”-it, ministri Blerim Kuçi vizitoi edhe punishten në Miradi,  ku po punohet në projektin e rehabilitimit gjeneral të Linjës së 10-të hekurudhore në fazën e parë Fushë Kosovë – Han i Elezit – Kufi me Maqedoninë. Udhëheqësit e projektit prezantuan punën që po bëjnë, teksa u tregua që pandemia Covid-19 kishte pasur gisht në vonesat e projektit. “Për shkak të Covid-it kemi një dinamikë jo të planifikuar, por po besoj që tani kohëve të fundit me intensitetin dhe dinamikën e punëkryesit nuk do të kemi probleme të mëdha sa i përket dinamikës. Në aspektin financiar ky projekt nuk ka probleme. Është i rëndësisë së veçantë. Shkon prej Fushë-Kosovës në drejtim të Maqedonisë. Ka shumë objekte brenda këtij projekti që janë të rëndësisë së veçantë. Ajo çka është me rëndësi, po krijohet një hekurudhë me standarde të BE-së, që ka qenë më se e nevojshme”, ka deklaruar Kuçi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur sot në…