Kuka paralajmëron pensionimin e Majlinda Kelmendit

30 dhjetor 2020 | 15:19

Paraqitja në Lojërat Olimpik që do të mbahen në verën e vitit të ardhshëm në Tokio, mund të jetë edhe e fundit për xhudisten Majlinda Kelmendi.

Pensionimin e Majlindës e ka paralajmëruar trajneri i saj, Driton Kuka në një intervistë për “KosovaPress”.

Kuka ka thënë se dëshira e tij është që Majlinda t’i japë fund karrierës dhe të pas Lojërave Olimpike ta japë kontributin e saj si trajnerë e xhudos.

Kuka pret nga Kelmendi medalje Tokio, derisa nga fituesja e medaljes së artë në Loëjrat Olimpik “Rio 2016” pret ta ketë në ekip si trajnerë për të nxjerrë xhudistë potencialë për medalje për Lojërat Olimpik të vitit 2024 në Paris dhe më pas në 2028.

“Po mendoj që Majlinda është e gatshme për gara. Nuk e di kur do të fillojë, por besoj se do të fillojë. Majlinda tashmë i ka arritur të gjitha ato çfarë arrihen në sport dhe po besoj që me dy-tri gara vitin tjetër edhe caku i saj janë Lojërat Olimpike po shpresoj që do të më dëgjoj mua që pas Lojërave Olimpike në Tokio t’i bashkëngjitet ekipit të trajnerëve, të punoj afër meje sepse tashmë ekipi është rritur dhe po më duket që kam nevojë të kem dikë që ka nivel edhe që e di rrugën deri te medaljet e mëdha, të punojmë bashkë në mënyrë që ky numër prej pesë garuesve ndoshta në të ardhmen të bëhet 10 ose 15 garues me nivel elitar. Ky është edhe qëllimi ynë ndoshta për ciklin olimpik drejt Parisit 2020/24 dhe Lojërave Olimpike 2020/28, do të thotë të ndërtohet një ekip i trajnerëve në mënyrë që numri i garuesve të rritet edhe cilësia e ekipit”, ka thënë Kuka.

Kelmendi e kategorisë 52 kilogramë është ndër më të mirat në botë. Ka fituar gjithçka që mund të fitohet në kategorinë e saj, ndërsa Kuka thotë se tashmë Majlinda e ka obligim që të ndihmojë në ngritjen e gjeneratave të reja dhe kampionëve të rinj.

“Kjo është dëshira ime, unë po besoj se ajo do të më dëgjoj kësaj radhe për arsye se duhet të jap për gjeneratat e reja. Ajo i ka dhënë Kosovës dhe popullit shqiptar të gjitha medaljet e mundshme, kënaqësitë të cilat normalisht nuk i kemi përjetuar më parë për arsye se në Kosovë kurrë nuk kemi pasur as kampion botëror e as olimpik. Të gjitha këto i ka arritur Majlinda kështu që po besoj potenciali i saj si garuese ndoshta të jep frytet e saj edhe për ngritjen e gjeneratave të reja. E ka obligim”, ka thënë në fund Kuka.

Kelmendi nuk ka marrë pjesë në asnjë garë këtë vit, ndërsa ka paralajmëruar kthim të fuqishëm në vitin e ardhshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur që Avdullah…