Kundërshtohet ideja e korrigjimit të kufijve

15 korrik 2019 | 18:52

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur të hënën tryezën e diskutimit “E ardhmja e raporteve Kosovë – Serbi nga perspektiva e qytetarëve në Kosovë”.

Në këtë diskutim morën pjesë deputeti Dukagjin Gorani, ish-deputetja Rada Trajkoviq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, si dhe ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq.

Në hapjen e tryezës Jeta Krasniqi nga KDI ka theksuar nevojën për përfshirjen e qytetarëve në diskutimet që ndërlidhen me të ardhmen e dialogut dhe procesin e normalizimit.

Ajo ka thënë se nga fillimi ky proces ka qenë jotransparent dhe ka munguar përfshirja e qytetarëve.

Dialogu aktualisht mbetet i pezulluar për shkak të kushtëzimit të Serbisë për heqjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë nga Qeveria e Kosovës.

Ndërsa spektri politik ende nuk ka arritur ta ndërtojë konsensusin e nevojshëm politik për të pasur qëndrim unik në këtë proces.

Deputeti Dukagjin Gorani fillimisht ka theksuar se procesi i dialogut nuk ka sjellë rezultatet e pritura.

Ai ka shprehur shqetësimin që çështja Kosovë – Serbi po diskutohet si problem në mes të shqiptarëve dhe serbëve. “Në vend se të flitet për komunitete, aktualisht po flitet për territore. Por, edhe kur flitet për territore, flitet vetëm për pjesën veriore të vendit. Në tërë procesin mungojnë serbët e Kosovës si komunitet, veçanërisht ata që quhen ‘serbët e jugut’, të cilët kanë qenë dhe mbeten të papërfaqësuar në këtë proces”, ka thënë ai. Gorani ka theksuar se arkitektura institucionale në vend nuk ofron hapësirë për zgjidhje inovative për çështjet e interesit nacional, andaj nëse palët duan zgjidhje, duhet ta reformojnë mendësinë dhe kushtetutën. Deputeti Gorani, duke folur për idenë për korrigjimin e kufijve, tha se “ndarja e kufirit do të jetë zgjidhje në mungesë të zgjidhjes.

Ish-deputetja Rada Trajkoviq ka thënë se rezultati i bisedimeve Kosovë – Serbi deri më tani më së shumti i ka goditur serbët e Kosovës pasi, siç tha ajo, “është diskutuar në përgjithësi për integrimin e veriut, por diskutimet i kanë prekur të gjithë serbët e Kosovës”. Sipas saj, serbët janë harruar nga shteti i Serbisë, ndërsa institucionet e Prishtinës nuk punojnë për mbështetjen e mbijetesës së serbëve.

Trajkoviqi ka thënë se përfaqëson grupin e njerëzve të cilët janë kundër ndarjes së Kosovës si zgjidhje potenciale në mes palëve, duke shtuar se kjo zgjidhje do të sillte destabilitet.
Ish-deputetja Trajkoviq ka vlerësuar se pajtimi mes dy shoqërive duhet të fillojë me dënimin e kriminelëve të luftës, të cilët akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës. Kurse sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve, ajo u shpreh që “nuk është hequr dorë nga kjo ide përderisa presidentë të të dyja vendeve janë Thaçi dhe Vuçiqi”.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka thënë se të dy shtetet duhet të synojnë paqen dhe jo zgjidhje të bazuar në territore. Ai ka thënë se është e domosdoshme që koncepti qytetar të dominojë këtë diskurs, ndërsa ka shtuar se secili qytetar i Kosovës duhet ta ndiejë Kosovën si shtet të vetin.

Lidhur me procesin e dialogut, Berisha ka theksuar se një proces pa fokus dhe datë mund të vazhdojë me dekada të tëra. Ai ka shtuar se qëndrimi i qeverisë është që “dialogu me Serbinë duhet të përfundojë, të afatizohet dhe duhet të përmbyllet me njohje reciproke në mes dy shteteve dhe më pas të diskutohet për çështje të ndryshme ndërshtetërore”. Ai i ka dënuar të gjitha aktet e dhunës ndaj qytetarëve, varrezave dhe dinjitetit të qytetarëve serbë të Kosovës.

Në anën tjetër, ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, duke folur në përgjithësi për procesin e dialogut, ka vlerësuar se ka pasur organizim dhe menaxhim të keq të tij. Ai kundërshtoi idetë rreth korrigjimit të kufijve dhe ndarjes së Kosovës, duke i cilësuar si ide katastrofike. Sa i përket rolit të serbëve të Kosovës në procesin e normalizimit, sidomos serbëve që jetojnë në jug, Rashiqi ka theksuar që “serbët përdoren si mekanizëm nga Beogradi, përkatësisht nga struktura në pushtet atje, për tregti politike”.

Ai ka potencuar që asnjë zgjidhje nuk duhet të arrihet pa përfshirjen e serbëve të Kosovës si dhe ka kërkuar që të ndërpritet strategjia e shpërnguljes së tyre nga Kosova.

Të pranishmit e tjerë në këtë diskutim ngritën pyetje dhe shqetësime lidhur me praninë e idesë për korrigjimin e kufijve në bisedimet mes palëve, përkatësisht të pasojave eventuale që kjo zgjidhje do të kishte për serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër, kthimin e serbëve të shpërngulur nga Kosova si dhe veprimet e institucioneve për garantimin e jetesës dhe interesave së përbashkëta të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Perspektiva evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) ka vendosur të hënën në…