Kupa ‘Nëna Terezë’ bashkon skuadrat nga Kosova dhe Shqipëria

26 janar 2020 | 19:45

Kupa “Nëna Terezë” pritet t’i bëjë bashkë ekipet e futbollit nga dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe nga Kosova.

Kjo kupë shihet si alternativa e vetme për të pasur një kampionat mbarëshqiptar, si nga Federata e Futbollit të Shqipërisë (FShF), ashtu edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), mirëpo për t’u realizuar një gjë e tillë, dy federatat duhet të marrin leje nga FIFA dhe UEFA. Tashmë dokumentacioni me projektin në fjalë është dorëzuar dhe dy federatat janë në pritje të një përgjigje pozitive në mënyrë që ky aktivitet të fillojë qysh nga sezoni 2020/21.

Në këtë kupë parashihet të marrin pjesë të gjitha ekipet e Superligës, Ligës së Parë dhe Ligës së Dytë të të dyja vendeve. Aktualisht kategoria superiore e Shqipërisë ka dhjetë ekipe dhe e Kosovës ka dymbëdhjetë. Kategoria e parë e Shqipërisë ka aktualisht 20 ekipe dhe kategoria e parë e Kosovës ka 16. Kategoria e dytë e Shqipërisë ka aktualisht 26 ekipe, ndërsa e Kosovës, 16 sosh. Në total pjesëmarrës në këtë kupë pritet të jenë rreth 102 ndeshje, ku do të zhvilloheshin më shumë se 200 ndeshje në total. Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, për “KosovaPress” është shprehur se në këtë kupë do të jenë të përfshira të gjitha klubet e futbollit si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova. “Sigurisht do të udhëhiqet nga një komision i përzier, por ajo që është me më rëndësi është që kjo kërkon kosto të veçantë. Të gjitha klubet do të jenë të përfshira, domethënë edhe Ligat e Treta, ligat regjionale do të luajnë, në Kupë vajtje-ardhje kështu që do të ishte shumë interesante të shkohet nga këtu në Gjirokastër… krejt magjia e këtij bashkëpunimi është që të jemi të sinqertë, që edhe klubet shqiptare të kuptojnë pak realitetin kosovar, të vijnë pak të njoftohen me popullatën, të ketë aty dashuri dhe miqësi ashtu siç është edhe emri ‘Nëna Terezë’, i këtij formati të kupës”, ka thënë Salihu. “Ne do të ndihmojmë. Pikërisht për këtë arsye Duka dhe Ademi kanë potencuar se do të gjejnë sponsorë nga qeveria, federatat, në mënyrë që klubet mos t’i rëndojnë. Pra, esenca është që klubet ta shijojnë këtë format të ri të garave, jo që t’i ngarkojmë ato me këste shtesë”, ka shtuar Salihu.

Sekretari i FFK-së bëri me dije se janë duke munduar që fituesi i kësaj kupe të marrë pjesë në garat evropiane. “Sa do të jetë kjo e realizueshme nuk e di, ndoshta nëse merremi vesh të dyja federatat të gjejmë një vend, por është me rëndësi që faktori financiar, që ekipi i parë, i dytë, i tretë ashtu siç vendosin të kenë një fitim, një shpërblim të majmë, kështu financiar, për çka do të interesoheshin pastaj klubet, sepse sistemit të kupës nuk i dihet kurrë”, përfundoi Salihu.

Ndërkohë që drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina, e sheh këtë kupë si pozitive për klubet e Shqipërisë dhe të Kosovës. Ai theksoi se kosto financiare mund të jetë një pengesë për realizimin e suksesshëm të kësaj kupe. “Mendoj se është e mirë për arsye se rritet konkurrenca, klube ka më tepër, konkurrenca është më e madhe, mirëpo edhe dalin gjëra të tjera të cilat mund të jenë pengesë. Në radhë të parë është kosto financiare sepse udhëtimet do të jenë shumë më të gjata, do të kenë nevojë klubet të shkojnë një ditë ose dy para ndeshjes në qytetet respektive etj. Në përgjithësi nga ana sportive është një hap mjaft i madh, mjaft i qëlluar, edhe një hap i cili vetëm shkon në favor të futbollit”, ka deklaruar Morina. “Mirëpo dalëngadalë ne duhet të mësohemi edhe me këtë ritëm, sepse unë shpesh e kam përdorur një fjalë, kur të pranohemi në UEFA më nuk luajmë ne me muzikën që e bëjmë ne, por luajmë me muzikën që e bën UEFA. Kështu që deshëm apo nuk deshëm ne duhet t’i përshtatemi këtij ritmi, duhet ta profesionalizojmë edhe më tepër, duhet ta rrisim fondin e lojtarëve sepse të luash në tre fronte nuk është lehtë, është shumë e vështirë, shumë e kushtueshme dhe shumë e kërkueshme, mirëpo mendoj se për futboll dhe për ngritjen e futbollistëve të të dyja anëve është shumë ide e qëlluar”, ka deklaruar Morina.

Edhe analisti tjetër i futbollit, Muhamet Dragusha, e sheh këtë kompeticion si një ide mjaft të qëlluar dhe shpreson që kjo do të jetë një rrugë më shumë që ekipet e të dyja shteteve të paraqiten në Evropë. “Një ide e qëlluar për ta filluar bashkimin e futbollit mbarëkombëtar, mendoj se në qoftë se aprovohet nga FIFA do të ketë një interesim të madh pasi vendi i parë dërgon në UEFA, kështu që unë pajtohemi parimisht me këtë ide dhe besoj se mund të jetë rrugë e mirë dhe një mundësi më shumë për pjesëmarrje në garat evropiane”, ka deklaruar Dragusha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jakup Krasniqi (Fjalë rasti në promovimin e librit “Shenja e…