Kuqezinjtë sot ‘aterrojnë’ në Francë

05 shtator 2019 | 11:01

Përfaqësuesja shqiptare mbylli pasditen e së mërkurës seancat stërvitore të grumbullimit në Shqipëri përpara se të niset për në Francë ku do ta zhvillojë ndeshjen me kampionët e botës më 7 shtator. Në konferencën për shtyp në Durrës, Keidi Bare, mesfushori i Malagës, në kategorinë e dytë të kampionatit spanjoll, shpreh optimizëm për ndeshjen ndaj Francës duke synuar të paktën një barazim.

“E prisja shumë këtë ftesë dhe jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Kam folur përpara dy ditësh me trajnerin dhe më tha fjalë shumë të mira. Unë do t’ia justifikoj mendimin e tij të mirë që ka për mua në fushë. Pavarësisht nëse do të luaj unë apo jo, e rëndësishme është të zhvillojmë ndeshje të mirë dhe të marrim rezultat të mirë. Unë kam rivalitet në repartin tim, por nuk shoh emrat e tjerë, stërvitem për vete dhe jap maksimumin tim. Ky është vetëm fillimi im në Kombëtaren A. Ekipin e shoh shumë të motivuar, por Franca është një ekip shumë i madh dhe ka lojtarë që bëjnë dallimin. Pavarësisht prej mungesave, edhe të tjerët i ka lojtarë shumë të mirë, por kjo nuk duhet të na pengojë që të marrim një rezultat pozitiv. Me një barazim do të jem shumë i kënaqur”, shprehet futbollisti i Kombëtares, Keidi Bare.

Për herë të parë në ekipin kombëtar A është grumbulluar edhe Marash Kumbulla, mbrojtësi i Veronës, i cili më parë ka qenë pjesë e ekipit shpresa. “Shpresoj të shkoj më lart sesa tek ekipi i Veronës, edhe pse nuk kam pasur vitin e shkuar shumë hapësira. Sa i përket ftesës që mora për ekipin A u emocionova shumës pse e dija që do të luaja tek ekipi shpresa U21. Këtu ka lojtarë me shumë përvojë që do të më ndihmojnë edhe mua. Nuk kam pasur ndonjë komunikim special me trajnerin, por ndihem mirë”, ka thënë Marash Kumbulla.

Kombëtarja kuqezi do të niset ditën e enjte në orën 11:00 drejt Francës ku do të zhvillojë atje edhe dy seanca të tjera stërvitore dhe konferencën e fundit për shtyp të trajnerit një ditë përpara takimit. Ndërkaq është përcaktuar edhe ekipi i gjyqtarëve që do ta gjykojë sfidën në mes të Francës dhe kombëtares shqiptare që përbëhet nga gjyqtarë spanjollë. Gjyqtar kryesor është Jesus Gil Manzano, ndërsa anësorë janë Diego Barbero Sevilla dhe Angel Nevado Rodriguez. Gjyqtar i katërt është Jose Maria Sanchez Martinez.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Uragani "Dorian" është forcuar sërish në stuhi të kategorisë 3,…