Kur do të ketë akuza për gjenocid në Kosovë?

20 qershor 2019 | 14:27

Bardhyl Mahmuti

Në shkrimin e parë, të serisë së shkrimeve që kam publikuar rreth domosdoshmërisë së harmonizimit të terminologjisë lidhur me krimet që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, kam theksuar se përdorimi i shprehjes “Krimet e luftës në Kosovë” është i mangët, për arsye se përmend vetëm një kategori krimesh dhe nuk përfshin gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit.

Kohët e fundit kemi pasur në njoftime nga ana e Prokurorisë Speciale për arrestimin e X-it apo Y-it si të dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Duke u bazuar në fakte të shumta, të cilat janë trajtuar më gjerësisht në librin “Mashtrimi i madh”, dëshmohet se gjatë luftës në Kosovë ka ndodhur gjenocid. QËLLIMI i vrasjeve, i dhunës seksuale dhe i dëbimit të popullsisë gjatë politikës së spastrimit etnik ka qenë shkatërrimi i tërësishëm ose i pjesshëm i shqiptarëve si grup kombëtar, etnik e fetar i ndryshëm nga serbët.

Kur kemi të bëjmë me përgjegjësitë lidhur me krimin e gjenocidit, Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit krijon obligime të ndryshme për individët dhe për shtetet.

Gjenocidi, nxitja e drejtpërdrejtë dhe publike për të kryer krimin, përpjekja për të kryer krimin dhe bashkëpjesëmarrja në krim janë akte që e ndëshkojnë individin në përputhje me të drejtën penale ndërkombëtare të përkufizuara  në nenin IV të konventës së lartpërmendur. Edhe në statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, në nenin 25, përcaktohet përgjegjësia individuale kur personi “kryen një krim të tillë, qoftë si individ apo bashkëpunim me një tjetër ose me anë të një personi tjetër, pa marrë parasysh nëse personi tjetër është përgjegjës penalisht apo jo;  urdhëron, kërkon apo nxit kryerjen e një krimi të tillë, i cili në fakt ndodh apo mbetet në tentativë; ndihmon, përkrah, kontribuon, është në dijeni dhe nuk e pengon kryerjen e krimit etj.” (Statuti i Gjykatës Penale Ndërkombëtare,neni 25).

Në përputhje me dokumentin zyrtar të Asamblesë së Shteteve Anëtare të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare të titulluar “Elemente të krimeve” dhe të cituar në disa shkrime paraprake, edhe në rastet kur kemi një vrasje, një dhunim seksual, një dëbim në kuadër të politikës së spastrimit etnik, me qëllim që të shkatërrohen, në tërësi ose pjesërisht, shqiptarët si grup kombëtar, etnik ose fetar kemi akt të gjenocidit. Kjo na mundëson të bëjmë dallimin mes një akti të gjenocidit, kur kemi vdekjen qoftë edhe të një individi të grupit nga gjenocidi apo kur kemi vdekje në një masë më të madhe njerëzish.

Mbi këtë bazë të së drejtës penale ndërkombëtare, Prokuroria Speciale e Kosovës mund të bëjë padi kundër individëve, të cilët konstatohet se kanë marrë pjesë në gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Përveç përgjegjësisë individuale, çdo akt i gjenocidit që kryhet nga organet shtetërore, personat ose grupet e personave, veprimi juridik i të cilëve i atribuohet shtetit, e bën përgjegjës shtetin, sepse shtetet kanë nënshkruar dhe kanë miratuar Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (neni IX i kësaj konvente).

Në këtë mënyrë, shteti përkatës ka shkelur obligimet ndërkombëtare, sepse termi “parandalim” dhe “dënim” nënkuptojnë obligimet për shtetet që të mos kryejnë gjenocid apo cilindo nga aktet e numëruara në nenin III të konventës.

Po marr si shembull rastin e padisë që Bosnjë-Hercegovina bëri kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Serbia “shpëtoi” nga akuza për gjenocid, për arsye se “pala akuzuese nuk arriti të dëshmojë se masakra e Srebrenicës ishte kryer me urdhër dhe direktiva të Serbisë, dhe nuk e dëshmoi që Serbia kishte kontroll efektiv të operacioneve, gjatë së cilave janë kryer këto masakra, që janë pjesë e krimit të gjenocidit në fjalë”. (Cour Internationale de justice, Recueildes Arrêts, Avis consultatifs et ordonnances, Affaire relative à l’application de la Conventionpour la Prévention et la Repression du Crime du Génocide, Bosnie-Herzegovine contra la Serbie- et- Monté Negro, Arrêtdu 26 Février 2007, paragrafi 413).

Në rastin e Kosovës gjërat janë shumë të qarta: të gjitha operacionet kanë qenë të përpiluara dhe të ekzekutuara nën kontrollin e plotë të komandës shtetërore.

Pa dashur ta rëndoj shkrimin, po kufizohem vetëm në atë, që përgjegjësia e shtetit në gjenocid është e dyfishtë: përgjegjësi penale dhe përgjegjësi civile.

Sa i përket përgjegjësisë penale të shtetit në krimin e gjenocidit, duhet të theksojmë se këtu kemi të bëjmë me një entitet juridik, që ka karakter abstrakt dhe, si i tillë, nuk mund t’u nënshtrohet sanksioneve penale (“nuk mund të burgoset shteti” – është shprehje që përdoret shpesh në këtë kontekst). Megjithatë, ngarkimi me përgjegjësi penale për kryerjen e gjenocidit ka peshë të madhe për imazhin e shtetit dhe e vë përballë një numri masash që mund të ndërmerren kundër tij.

Shteti i Serbisë ka përgjegjësi penale dhe civile për gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë dhe një ditë do të duhet të japë llogari. Shfrytëzimi i jurisprudencës së Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ruandën dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish- Jugosllavinë na mundëson të integrojmë disa aspekte të reja të së drejtës penale ndërkombëtare, me qëllim që padija të jetë sa më e argumentuar. Duhet të punojmë shumë që gjenocidi i shtetit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës të njihet në përmasa ndërkombëtare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Vushtrrisë u rikthye në elitën e futbollit të…