Kurdët në “gojën” e Turqisë

30 janar 2019 | 11:39

Irida Vasia

Udhëtimi i fundit Rexhep Tajip Erdoan drejt Moskës kishte një agjendë të mirëpërcaktuar: Vendimi i Shteteve të Bashkuara për tërheqjen nga Siria lë pas një vakum të cilin, më shumë se çdokush tjetër, po nxiton ta mbushë Turqia. Planet e saj për vendin fqinj kanë ndryshuar, ashtu sikurse në fund të fundit, edhe ato të aktorëve të tjerë në rajon.

Tre ishin temat e bisedës që Erdoani donte të konsumonte patjetër me shefin e Kremlinit: krijimi i një zone të sigurisë në veri të Sirisë në lindje të lumit Eufrat, një operacion i mundshëm i trupave turke në Manbidxh dhe ajo që po perceptohet si rritje e ndikimit të islamistëve të afërt me Al-Kaedën në Idlib, kështjella e fundit e kryengritësve.

Takimi që shumë i përzemërt; që në çelje të tij, Putini e quajti kreun e shtetit turk : “një mik të mirë”, dhe të njëjtën përcaktim përdori dhe Erdogani. Incidenti i nëntorit 2015, kur rrëzimi i avionit luftarak rus nga forcat turke beri që tensionet mes dy vendeve të shpërfaqeshin hapur duke mbërritur deri në sanksione me pasoja serioze financiare për Turqinë, dukej më i largët se kurrë. Por ndonëse u ra dakord për bashkërendim të veprimeve në terren, presidenti turk duket nuk e mori atë që më së shumti, kërkonte: marrëveshjen mbi një zonë sigurie të kontrolluar nga turqit në veri të Sirisë.
“Bisedimet për këtë do të vazhdojnë. Turqia po kërkon një zonë të sigurt e të pastruar nga terroristët, e për këto plane të saj ka marrë përgjigje pozitive nga Shtetet e Bashkuara, as me Rusinë nuk do të ketë probleme”, shprehet Rexhep Tajip Erdoan.

Moska e pat hedhur më parë si sugjerim që kontrolli i të gjitha zonave të mbajtura nga kurdët në këtë pjesë të Sirisë t`i kalojë qeverisë së Bashar Al Asadit, të cilën Ankaraja e ka halë në sy. Rusia dhe Turqia, faktikisht janë të rreshtuara në kahe të kundërta të konfliktit sirian: mbështetja e Moskës ka qenë jetike për regjimin e presidentit Assadit, ndërsa Ankaraja, si për ironi, ka mbështetur luftëtarët opozitare të cilët rrëmbyer armët e u ngritën kundër tij. Por lëvizja e gurëve në lojën e madhe të shahut në Siri ndryshon vazhdimisht dhe pas vendimit të papritur të Donald Trumpit në dhjetor për tërheqjen e trupave amerikane nga ky vend, Rusia dhe Turqia zgjodhën të bashkojnë forcat për koordinimin e operacioneve ne terren. Zona e sigurisë që kërkon me aq ngulm Erdoani, përfshin pikërisht ato rajone të kontrolluara nga kurdët sirianë- të cilët sot ndihen të braktisur dhe të tradhtuar nga aleati i madh, Washingtoni….
“Vendimin e Trumpit ne e konsiderojmë një tradhti të popullit kurd. Nuk kemi për ta pranuar kurrë, dhe nuk do të largohemi nga toka jonë”, shprehte Khalid Osoo, një protestues kurd.
“Ne nuk do të zmbrapsemi përpara kërcënimeve të Erdoanit, nuk do të gjunjëzohemi kurrë. Dhe nuk do ta pranojmë heshtjen ndërkombëtare përballë presionit që po bën ai për qytete si Manbixhi. Kurdët janë tradhtuar gjithmonë; të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me ne, në fund këtë gjë kanë bërë, dhe për shkak të kësaj tradhtie dramatike ne jemi sot kaq të ekspozuar. Nuk do t`i besojmë më askujt, asnjëherë”, thotë Hamreen Salah, një tjetër protestues.

Rreziku që Turqia t`i vërë në jetë vërtet kërcënimet e saj, është shumë serioz. Frika e masakrave mes civilëve dhe zhvendosjes, nuk është e vogël. Vetëm në provincën kufitare të Idlibit, ka mbi tre milionë vetë, dhe janë të gjithë të rrezikuar.
“Të tilla kërcënime do të ndikojnë shumë tek trupat tona, sepse ka civilë në atë rajon, ka fëmijë, dhe forcat për të cilat po flasim kanë krijuar mjaft eksperiencë në luftën kundër Isis-it. Pra, nuk ka asnjë pikë dyshimi se do ata do të kthehen për të mbrojtur shtëpitë, fëmijët dhe tokën e tyre; nuk ka asgjë më të rëndësishme se kjo”, thotë Nuri Mahmud, zëdhënës i njësive luftarake kurde YPG.

Prania e forcave amerikane kishte shërbyer praktikisht si mburojë ndaj një sulmi turk, i cili i tmerron banoret atje shumë më tepër se militantët gjakësorë të Isis-it. Grupet paraushtarake kurde dhe arabe u shndërruan në një aleat të vyer të Amerikës në luftën kundër Shtetit te dhunshëm Islamik. Përgjatë tre viteve të kaluara, Washingtoni i mbështeti me ndihmë ushtarake, sulme ajrore e 2.000 trupa në terren; së bashku, do të rimerrnin nën kontroll thuajse të gjithë territorin e pushtuar dikur nga grupi ekstremist.
Në rajonet e veriut dhe lindjes së Sirisë, që sot janë në duart e tyre, forcat demokratike siriane, SFD, kanë hedhur themelet e një administrate autonome me shpresën e madhe që ajo të arrijë të mbetet në këmbë edhe pas luftës gjunjëzuese civile te vendit. Por mbështetja amerikane e tërboi Turqinë anëtare të Nato-s, e cila luftëtarët kurdë të SDF-së i sheh si terroristë dhe një kërcënim për vetë stabilitetin e saj. Në mënyrë të përsëritur, Erdoani e mbajti trysninë të shtuar me kërcënimet për inkursione ndër-kufitare, e në krah pati ka dhe luftëtarë sirianë rebelë; deri më tani, këtë lëvizje e kishte penguar pikërisht prania e trupave amerikane..

Vendimi i Trumpit për tërheqje, e ndryshoi kryekëput situatën. Me t`u mësuar se c`kishte ndërmend të bënte kreu I Shtëpisë së Bardhë, presidenti turk iu rikthye deklaratave të konfliktit, duke shpallur me të madhe qëllimin për ndërhyrje në Siri. Nëse do të ishte e gjitha në dorën e tij, operacioni tashmë do të kishte filluar, por Erdoanit iu desh ta frenonte hovin deri në tërheqjen e plotë të forcave amerikane, që mund të zgjasë e shumta, deri në 100 ditë.
“Ne e kemi vendosur ndërmarrjen e një inkursioni ushtarak në lindje të lumit Eufrat dhe këtë informacion e ndamë edhe me publikun. Telefonata me presidentin Trump, së bashku me kontaktet mes diplomatëve tanë dhe zyrtarëve të sigurisë si dhe deklaratat e Shteteve të Bashkuara, na bënë që thjesht të presim pak më shumë. Por është e qartë se nuk ka për të qenë një pritje pafund”, thotë Erdoan në një deklaratë.

Në anën tjetër të kufirit, fjalët e kreut të shtetit turk, nuk ranë në vesh të shurdhër. Raportet në media ndërkombëtare tregojnë se luftëtarët kurdë kanë nisur të hapin llogore në kufi, duke u përgatitur kështu për një ofensivë të Ankarasë. Reagimi i ministrit të brendshëm turk Hulusi Akar ishte i ashpër: “le t`i hapin, se vetë kanë për t`u varrosur aty kur të vijë koha”!!!. Të gjitha sinjalet pra, tregojnë se retë e konfliktit po mblidhen dhe kurdët nuk po tremben kot. Në fund të fundit, nuk do të ishte hera e parë që Turqia i vërsulet luftëtarëve kurdo-sirianë. Në fillimin e vitit të kaluar, ishte ajo që detyroi zmbrapsjen e SFD-së nga rajoni i Afrinit, në perëndim të Eufratit, duke shtyrë me mijëra vetë të braktisnin shtëpitë e t`ia mbathnin nga sytë këmbët, e duke i hapur vendin rebelëve sirianë- aleatë të saj.

Qëllimi i Turqisë, i pohuar nga vetë zyrtarë të saj, është të pastrohet i gjithë kufiri nga pjesëtarët e YPG-së, të cilët përbëjnë bërthamën e forcave demokraike siriane. Këtë grup dhe afiliatin e tij politik PYD, Ankaraja i lidh me partinë e punëtorëve të Kurdistanit, që ka luftuar për më shumë se tre dekada brenda Turqisë për pavarësi. PKK-ja, një organizatë politike me bazë në Turqi dhe Irak, e përbërë nga militantë të ekstremit të majtë, e nisi në 1984-tën konfliktin e armatosur me shtetin turk me qëllim fillestar arritjen e një shteti të pavarur kurd, pretendime këto që më vonë u shfrynë për t`u ulur tek kërkesa e të drejtave të barabarta dhe autonomisë kurde në Turqi. 40.000 të vdekur, shumica civile është bilanci i përballjes së fashitur disi me armëpushimin e viteve 2013-2015. Edhe vetë bashkëthemeluesi i PKK-së, i kthyer në legjendë mes kurdëve, Abdullah Ocalan që po i ngrys ditët e tij në burg, argumenton se periudha e konfliktit të armatosur i përket së shkuarës dhe se çështjes kurde, i lipset një zgjidhje politike. Por Turqia duket i druhet pafund mëvetësisë kurde kudo nëpër botë. Në sytë e saj, pavarësia e kurdëve të Sirisë do të çonte minimumi drejt një përshkallëzimi të ri të konfliktit të saj të fjetur 30 vjeçar dhe më e keqja, do të kërcënonte integritetin e vet territorial.
“Shumë kurdë e kanë të rrënjosur brenda vetes dëshirën për një shtet të tyrin të pavarur. Ata e patën një model me kurdët e Irakut që arritën të çlirohen nga Sadam Huseini pas Luftës së parë të Gjirit, dhe që prej atëherë praktikisht shijuan një pavarësi e cila vetëm emrin s`e pati të tillë. Lufta civile në Siri i krijoi kurdëve mundësinë të gërmonin për një hapësirë të vetën mes ISIS-it dhe regjimit të Asadit, dhe kjo i shqetëson shumë turqit’, thotë Michael J.Totten, analist.

Me një ndihmë të fortë nga jashtë, kurdët sirianë dhe mund ta plotësonin këtë ëndërr të hershme, e miqësia ushtarake e tyre me Shtetet e Bashkuara e egërsoi Turqinë. Por këta njerëz të persektuar nga shteti për vite të tëra, pretendojnë se nuk duan aq; pavarësia është fjalë e madhe për ta; siç thonin dhe vetë pak kohë më parë, do të kënaqshin edhe me një marrëveshje politike e cila t`iu sigurojë autonominë e të drejtat e minoritetit. Amerika sidoqoftë dha shenja që tregojnë se nuk i braktisi krejtësisht: Këshilltari i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Bolton zbarkoi vetë në Ankara në kërkim të garancive të sigurisë për forcat kurde në vazhdën e tërheqjes amerikane.
“Nuk mendojmë se turqit do të ndërmerrnin ndonjë veprim ushtarak për të cilin të mos jenë koordinuar më parë e të mos kenë marrë pëlqimin e SHBA-së. Turqia duhet të plotësojë kërkesën e presidentit që forcat opozitare të cilat luftuan me ne, të mos rrezikohen në asnjë moment”, do të deklaronte John Bolton.

Trumpi më pas e çoi në një tjetër nivel përplasjen mes dy vendeve mbi mënyrën e veprimit në Siri. Ai e kërcënoi Turqinë me rrënim ekonomik nëse sulmon kurdët; ndërsa prej këtyre të fundit kërkoi që të frenohen nga provokimet.
“Dukë nisur tërheqjen e vonuar të trupave nga Siria, e duke goditur ndërkohë fort dhe nga disa drejtime atë pak gjë që mbetet nga kalifati territorial i ISIS-it. Do të sulmojmë sërish nga baza ekzistuese aty pranë nëse tenton të riorganizohet. Do ta shkatërrojmë Turqinë ekonomikisht nëse godet kurdët. E do të krijojmë një zonë sigurie prej 20 miljesh”, shkruan Trump në “Twitter”.

Por, Ankaraja u shfaq përsëri sfiduese duke i kujtuar Washingtonit se organizata YPG, nga njëra anë ndodhet në listën e terrorit të Turqisë, nga ana tjetër është aleate e SHBA-së në luftë kundër milicëve xhihadistë të “Shtetit Islamik”. Terroristët nuk mund të jenë partnerët dhe aleatët tuaj, ishte argumenti i zyrtarëve të lartë turq që presin siç thonë nga Amerika respektimin e partneritetit strategjik, e kërkojnë që marrëdhënia mes dy vendeve të mos të errësohet nga ajo që e cilësojnë “propagandë terroriste”.
Mes pasigurisë që rrethon situatën e tyre, kurdët po kërkojnë farkëtimin e aleancave të reja: në fund të dhjetorit, ata lejuan forcat e regjimit sirian të hynin në periferinë e qytetit strategjik të Manbixhit, një përpjekje e dëshpëruar për bllokimin e grupeve të mbështetura nga turqit; ky ishte rezultati më i qartë deri tani i pasojave të vendimit të Trumpit për largimin e trupave amerikane.

Nga ana tjetër, kurdët po i kthejnë sytë edhe nga Rusia me shpresën të ndërhyjë që ta detyrojë Dasmakun të angazhohet për tua mbrojtur territorin nga ofensiva, në dukje, e pafrenueshme turke. Një delegacion i administratës kurde në veri të Sirisë vizitoi për këtë qëllim Moskën pak kohë më parë. E ndërsa civilët kurdë shpresojnë që kërcënimet e Ankarasë të mos arrijnë të materializohen, Turqia vazhdon të grumbullojë trupa e pajisje ushtarake në kufi. Por luftëtarët kurde nuk do të qëndrojnë as ata duarkryq, epo përpiqen të gjejnë forcën edhe tek vetja, duke kujtuar se në fund të fundit, kanë arritur t`ia dalin mbanë edhe atëherë kur nuk ishin shokë armësh me Pentagonin./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka thënë se nëse nuk…