“KURRI-KULTURA E RE”

24 janar 2020 | 10:53

Shkruan: Arieta Mjeku-Azizi

Nuk e di se si mund ta zgjidhësh një detyrë në lëndën e matematikës së klasës së parë dhe të dytë të shkollës fillore, me “kurrikulturën” e re, hiq më larg se të sivjetme, e përpiluar rishtazi.

“Nënë e kam këtë detyrë në matematikë, por nuk po e kuptoj”!?

“Eja te nëna dhe do të të ndihmoj që ta kuptosh”.

“Eh tash, a e kuptove bija ime (pas 2 orësh ushtrime vetëm në njërën detyrë)”.

“Pak e kuptova nënë, sepse edhe mësuesja na ka ushtruar e mësuar shumë mirë, por e kemi të vështirë me kuptu”.

E bija fillon të qajë, jo nga moskuptimi i detyrës, por nga frika e së ardhmes.

Nga frika se, kur tash e vështirë me kuptu, çka më tutje, çka ka në klasën e tretë e të katërt, a mos libri do fillojë t’i kafshoj nxënësit!

Shpesh njerëzit më thonë: ”Kur ti thua që diqka qenka e vështirë, me të vërtetë është e vështirë” andaj, e mora detyrë këtë shpehje të pakënaqësisë, pakënaqësi kjo aspak individuale por, kolektive.

T’ua them të drejtën, matematika 1 a e klasës së parë me kurrikulën e re, ishte aq e këndshme, aq e butë, aq tërheqëse dhe shumë e kapshme e frymëzuese për trurin e fëmijës 6/7 vjeqarë.

Erdhi papritmas matematika 1 b, poashtu e klasës së parë. Besoni ose jo, kishte detyra shumë të mira, për ne prindërit dhe mësuesit, që në kohë të lirë t’i zgjidhim, gjatë kohës kur pijmë ndonjë kafe. Domethënë, e përsëris prapë, ne prindërit.

Por, jo.

Jo për trurin e një fëmiju 6 vjeqar. Ngarkesë dhe përkushtim i madh.

Eshtë shumë e kuptueshme që, detyra shkon e bëhet më e vështirë për zgjidhje duke filluar nga klasa e katërt por jo të ja gërrdisësh fëmijut shkollën, jo ta irritosh që me fillim. Klasa e parë dhe e dytë duhet të jenë kënaqësia më e madhe e të përjetuarit të një fëmije.

Nëse nuk ke dalë mirë në PISA, nuk është faji i nënësit 6 vjeqar dhe tash ta ngarkosh aq shumë sa fazat depresive do të jenë të pashmangshme në një të ardhme të afërt..

O njerëz, nuk është DIJE “bombardimi” i fëmijës me detyra të paimagjinushme për të.

Më tregoni ju se si mund të ketë një test në matematikë për fëmijët e klasës së dytë, shndërrimi i decimetrave me shifra më të larta, në centimetra, kur ende nuk iu është shpjeguar nxënësit çka janë decimetrat, metrat, centimetrat e milimetrat dhe normalisht që nxënësi “shokohet” kur e sheh në test (dm)- (decimetri)?

Kishte me qenë shumë e arsyeshme, nëse para këtij testi do u shpjegoheshin fillimisht se çfarë janë decimetri e centimetri, jo një orë, por disa orë, e më pastaj të kenë teste të natyrës së tillë.

Nuk jam përkrahëse e asaj që, nxënësi në klasën e parë, në ditët e sotme, të mësojë vetëm alfabetin e gjuhës amtare dhe mbledhje e zbritje të numrave të dhjetëshes së parë, por duhet të shkohet me rend/sqarim e pastaj kërkim.

Gjithmonë e kam dashur lëndën e matematikës, kam qenë e shkëlqyeshme në matematikë, sot e dua matematikën dhe do ta dua gjithmonë. Dëshmitarë janë mësuesja, arsimtarët dhe profesori i matematikës së shkollës së mesme andaj, po e shpehi këtu shqetësimin, e them prapë, jo individual.

Kurrikula e re, e sivjetme duhet të futet në “rëntgen” psikologjik.

Shkathtësi për jetë/një lëndë e shkëlqyeshme, fantastike.

”Bija ime, çfarë ke detyrë shtëpie në këtë lëndë”?

“Nënë, detyrë shtëpie e kam një detyrë, por ta shoh se në cilën faqe e kam”.

“Po si moj në cilën faqe, e ke me rend, shiqoje me rend”.

“Po jo nënë, sot e paskëm detyrën në faqe 27”.

“Si”? Detyrën në faqe 27”? Mos e ke ngatërruar bija ime”.

“Jo nënë, nuk e kam ngatërruar, por po hutohem, më fal nënë, nuk dua të të bëj të ndihesh keq ty, por po hutohem sepse kështu i mësojmë, njëherë faqe 27, ditën tjetër faqe 5, ditën tjetër faqe 21”.

A po mendoni që shetitja nëpër libër e bën gjeni një fëmijë?

A po mendoni se duke shetitur në faqe të librit, fëmiju bëhet më i gjindshëm në jetë?

Po ndoshta, nëse një gjë e tillë aplikohet në klasa më të larta, por jo në 6-të vjeqarët.

Kjo krijon huti, jo gjindshmëri.

Kjo krijon agresivitet, duke tentuar që ta gjejë faqen ku iu është dhënë detyra.

Kjo krijon pasiguri por mund të krijojë edhe humbje vetëbesimi (mendimi im këtu).

Mendoni mirë për gjëra të tilla, mendoni dhe analizoni mirë, që mos të jetë vonë për ndëshkime të paimagjinushme!

E përsëris se, mësimi në ditët e sotme duhet gjithsesi të jetë më i avancuar, por të shkohet me rend, fillimisht sqarime për decimetrat e pastaj test me decimetrat. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shtëpinë e Milanit lind një çështje e re, Paqueta.…