Kurteshi: Të largohen ata që s’guxojnë të përballen me konkurrencën

14 janar 2018 | 15:34

Sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje do t’i tejkalojë mosmarrëveshjet ose përndryshe ata që nuk kanë guxim të përballen me konkurrencën brenda partisë duhet të largohen.

Kjo është thirrja e parë për largim, prejse në Vetëvendosje kanë filluar pakënaqësitë.

Por, Kurteshi ka pohuar se askush s’mund dhe s’duhet të jetë mbi statutin e organizatës.

“Nga Lëvizja do të shkojnë vetëm ata të cilët nuk janë të gatshëm të ballafaqohen me konkurrencën e cila parashihet në Statutin e Lëvizjes. Nga Lëvizja po largohen ata që nuk janë të gatshëm të respektojnë procedurat dhe Statutin e Lëvizjes. Edhe për Vetëvendosjen, vlen që askush të mos jetë mbi ligjin. Nuk mund të lejojmë dikë të jetë mbi Statutin. Duhet t’i respektojnë këto norma që vet i kemi respektuar”, ka thënë Kurteshi në mbledhjen e Këshillit të Qendrës në Prishtinë.

Ky këshill po mban mbledhje punuese në vazhdën e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme.

As sot, sikur në tubimin e djeshëm, nuk është parë të jetë i pranishëm, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka bërë me dije…