Kurti: Diversiteti kulturor dhe fetar mbetet një ndër shtyllat themelore të shtetit tonë demokratik
Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në tryezën e dialogut ndërfetar “Bashkëjetesa ndërfetare ndër ne, virtyt hyjnor apo domosdoshmëri shoqërore”.
Ai ka thënë se liria fetare mbetet një nga të drejtat themelore universale të njeriut, si bazë e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë, Kurti ka thënë se edhe trashëgimia kulturore dhe fetare përfaqëson një pasuri të përbashkët që i lidh komunitetet, forcon identitetin dhe nxit mirëkuptimin e ndërsjellët.
“Prandaj, politikat tona synojnë që ta mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe ta vënë atë në shërbim të paqes, bashkëjetesës dhe zhvillimit shoqëror, gjithnjë duke respektuar e zbatuar lirinë fetare si e drejtë elementare njerëzore”, është shprehur Kurti, duke shtuar se në Kosovë, bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne, por edhe traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën. “Ajo mbetet një vlerë themelore e shoqërisë sonë, e cila ka kontribuuar në ruajtjen e kohezionit dhe të stabilitetit, duke dëshmuar që diversiteti apo llojllojshmëria nuk është burim ndarjeje, por pasuri e përbashkët që duhet ruajtur dhe kultivuar për brezat të cilët vijnë pas nesh”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se në Republikën e Kosovës, diversiteti kulturor dhe fetar mbetet një ndër shtyllat themelore të shtetit tonë demokratik dhe gjithëpërfshirës. “Kontributi i të gjitha komuniteteve fetare në jetën shoqërore, arsimore, kulturore është i çmuar dhe përbën pjesë të rëndësishme të zhvillimit e të përparimit tonë të përbashkët”, ka thënë ai.



