Kurti: Duam ta orientojmë ekonominë kah prodhimi

04 tetor 2022 | 17:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë të martën në përurimin e fabrikës së letrës “Royal Paper Cups”, në fshatin Besi të Komunës së Prishtinës.

Ai ka thënë se po shënojmë edhe fillimin e një ndërmarrje të re prodhuese, një investimi të ri.

“Pikërisht ajo që i duhet ekonomisë tonë. Prodhim, investim. Investim në prodhim”, është shprehur Kurti para të pranishmëve në këtë ceremoni.

Duke kujtuar kohën e pandemisë me Covid-19 dhe sfidat e përballjes me të, ai ka rikthyer në kujtesë edhe udhëzimet e profesionistëve që përpos mbajtjes së distancës, higjienës, dhe maskave, rekomandohej, edhe që në vend të gotave të xhamit e të porcelanit, të përdoreshin gotat njëpërdorimshme të letrës.

“E sot po përurojmë hapjen e një fabrike të prodhimit të gotave prej letre. Vlera investive kalon shifrën mbi një milion euro me synim të rritjes së potencialit prodhues në të ardhmen. Pandemia ndër të tjera na pati shpërfaqur një defekt serioz të ekonomisë tonë; varësinë nga importi, dhe mungesën e prodhimtarisë vendore, por sikurse ndërmarrësit që shohin shansin në vështirësi edhe qeveritë duhen që në kriza si ajo e pandemisë të shohin mundësi për reforma”, është shprehur kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se që atëherë fokusi i qeverisë është riorientimi i ekonomisë në drejtim të prodhimtarisë vendore, ndërkaq që listoi edhe masat mbështetëse për bizneset në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike.

Kryeministri ka uruar pronarët e kësaj fabrike për këtë investim, duke bërë thirrje që edhe të tjerët të investojnë në prodhimtari.

Pas fjalës, kryeministri Kurti ka marrë pjesë në prerjen e shiritit dhe ka vizituar ambientet e fabrikës ku prodhohet letra dhe gotat e letrës për tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrat e financave të Bashkimit Evropian (BE) kanë rënë dakord…