Kurti: Gjermania, mike dhe aleate e Kosovës për integrim në BE

19 shkurt 2023 | 08:45

Gjermania është mike dhe aleate në marrëdhëniet bilaterale dhe në integrimin Evropian të Kosovës, tha kryeministri Albin Kurti gjatë takimit me deputetët Andreas Schwarz, Wolfgang Hellmich, Ulrich Lechte, Renata Alt, Aydan Özoğuz dhe Metin Hakverd.

Kryeministri Kurti, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Munih, mbrëmë takoi deputetë të Bundestagut nga radhët e Partisë Social Demokrate, Partisë Liberale dhe Unionit Demokristian.

Kurti në këtë takim nënvizoi performancën ekonomike, përparimin demokratik, progresin e digjitalizimit të shërbimeve, politikat sociale në shërbim të qytetarëve, suksesin në luftimin e korrupsionit, si veçori që e kanë përshkuar Kosovën në dy vjetët e fundit.

Më tej, sipas njoftimit të qeverisë, ai ka cituar përfundimet e raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterëve Pa Kufij, Projekti i Drejtësisë Botërore, i Bankës Botërore të Maturitetit të Teknologjisë në Qeveri dhe i BE-së për Vendin për vitin 2022, të cilat dëshmojnë përparimin në fushat përkatëse.

Kryeministri Kurti, po ashtu, ka njoftuar deputetët gjermanë për miratimin e tri marrëveshjeve që janë nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit. Të njëjtat, sipas tij, shumë shpejt pritet që të ratifikohen edhe në Kuvend.

Në takim u diskutua edhe për raportet me Serbinë dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 65 për qind e studentëve të vendosur në Qendrën…