Kurti i pret në takim ish-presidentët Mesiq dhe Topi

12 shkurt 2022 | 18:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiq dhe ish-presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.

Kryeministri Kurti i falënderoi dy ish-presidentët për vizitën dhe për angazhimin e përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën.

Duke folur për qeverisjen rreth njëvjeçare, kryeministri Kurti tha se prijmë në rajon për menaxhimin e mirë të pandemisë, me vaksinimin e tashmë dy të tretës së popullatës së rritur.

Ai i njoftoi edhe për rezultatet e shënuara në ekonomi. “Rritjen ekonomike prej 9.9 për qind, rritjen e të hyrave doganore për mbi një të tretën, krahasuar me vitin paraprak. Ndërsa eksportet janë rritur me 66 për qind, të hyrat buxhetore janë rritur për 30 për qind, e investimet e huaja për 53 për qind”, ka thënë kryeministri Kurti.

Dy ish-presidentët e përgëzuan kryeministrin Kurti për detyrën dhe sukseset në qeverisjen e deritanishme.

Ata shprehën besimin që ai do ta vazhdojë ta kryej me përgjegjësi e kompetencë detyrën që ia kanë dhënë qytetarët.

Ish-presidenti Topi theksoi nevojën për më shumë bashkëpunim rajonal dhe koordinim më të mirë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, sidomos me institucionet e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu çështjen e liberalizimit të vizave.

Ish-presidenti kroat, Mesiq, tha se duhet angazhim i shtuar në rrafshin ndërkombëtar, sepse siç tha ai, Serbia po vazhdon fushatat lobuese për çnjohjen e Kosovës.

Lidhur me dialogun me Serbinë, kryeministri Kurti tha se është proces që duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë, drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka mbaruar biseda telefonikes mes Presidentit të Shteteve të Bashkuara…