Kurti: Izbica, dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë

28 mars 2023 | 13:45

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe të shoqëruar nga deputetë të Kuvendit, kanë bërë homazhe në fshatin Izbicë të Komunës së Skenderajt, ku regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviqit më 28 mars 1999 kishte vrarë 47 shqiptarë, 6 prej të cilëve janë ende të zhdukur.

Pranë memorialit të të vrarëve, kryeministri Kurti tha se kjo masakër ndodhet në aktakuzat e gjashtë krerëve të lartë shtetërorë politikë, policorë e ushtarakë të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë.

Ai ka thënë se nuk do ta harrojmë kurrë gjenocidin e Serbisë dhe se do të angazhohemi përjetë e vazhdimisht si institucione edhe si qytetarë për drejtësinë, për viktimat dhe familjet e tyre.

“Bashkë me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, jemi këtu sot, që të nderojmë dhe të përkujtojmë të vrarët nga regjimi fashist e gjenocidal i Millosheviqit në Izbicë, 147 sosh gjithsej, 6 janë ende të pagjetur. Siç e tha edhe presidentja, ata janë rrëmbyer si njerëz, si shqiptarë të gjallë e më pastaj pas pushkatimit u janë rrëmbyer edhe kufomat, janë dërguar në Serbi dhe në fund janë zhvarrosur prej atje, por jo që të gjithë meqenëse 6 ende nuk dihet se ku janë në Petrovo Sello, dhe i kanë sjellë këtu, në atdheun e tyre, në vendlindjen e tyre. Sot është një ditë kur e nderojmë edhe kujtimin e Mustafë Dragajt, i mbijetuar i masakrës, i cili pat dëshmuar kundër Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës dhe i cili fatkeqësisht ndërroi jetë në shtatorin e vitit të kaluar. Masakra e Izbicës ndodhet në aktakuzat e gjashtë krerëve të lartë shtetërorë politikë, policorë e ushtarakë të Serbisë dhe është dëshmi e gjenocidit të Serbisë, të cilin ne nuk e harrojmë kurrë dhe për drejtësinë, për viktimat dhe familjet, që janë gjithashtu viktima dhe i gjithë populli, do të angazhohemi përjetë, vazhdimisht edhe si institucione edhe si qytetarë”, ka  thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në fjalën e…