Kurti: Kosova aplikoi për anëtarësim në BE në mesin e dhjetorit të vitit 2022, ende nuk shqyrtohet nga Këshilli
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se më 15 prill të këtij viti u bënë 40 muaj që aplikimi ynë mbetet i pashqyrtuar nga Këshilli.
Kurti ka shkruar në “Facebook” se Kosova është demokracia më e avancuar e rajonit, me mesataren më të lartë të rritjes ekonomike dhe e rreshtuar plotësisht me vlerat dhe politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian.
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është zgjedhje strategjike që shoqëria jonë e ka bërë dhe qeveria e ka prioritet. Sot, me qëllim të dinamizmit të procesit dhe për të siguruar koordinim ndërinstitucional në këtë çështje prioritare, kemi themeluar Komitetin Ekzekutiv për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryenegociatorin me Bashkimin Evropian e autorizuam që të krijojë Task Forcë specifike, duke filluar sot me Task Forcën për Statusin e Vendit Kandidat. BE-ja duhet të zgjerohet duke u reformuar njëkohësisht. Të marrë vendime në politikën e jashtme duke ruajtur unitetin brendshëm. Këto janë të mundura dhe Kosova është gati të kontribuojë”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se Procesi i zgjerimit sjell reforma, avancim të demokracisë e mirëqenie ekonomike.
“Anëtarësimi bëhet për reforma, për demokraci, për zhvillim dhe për të kontribuar në projektin më të madh të përbashkët të paqes dhe prosperitetit”, ka shkruar Kurti.



