Kurti: Kosova ka treguar sukses në ballafaqimin me pandeminë Covid-19

29 shtator 2022 | 15:39

Sukseset dhe sfidat në fushën e promovimit dhe të edukimit shëndetësor në Kosovë, u theksuan nga kryeministri Albin Kurti, në hapje të Konferencës së tretë Rajonale për Promovim dhe Edukim Shëndetësor.

Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti derisa theksoi se Kosova ka treguar sukses në ballafaqimin me pandeminë Covid-19, tha se ky sukses na jep një mundësi ideale për të reflektuar mbi rëndësinë e promovimit dhe edukimit shëndetësor.

Një pjesë e madhe e këtij suksesi, vijoi ai, ka qenë pikërisht për shkak të efikasitetit në promovim dhe edukim.

“Aktualisht, një prej sfidave kryesore të institucioneve shëndetësore në fushën e promovimit dhe edukimit, është të gjejmë një mënyrë se si ta përsërisim suksesin tonë gjatë pandemisë, në luftimin e sëmundjeve të tjera”, ka thënë kryeministri, para të pranishmëve në këtë konferencë dyditore.

Ai ka shtuar se sfida kryesore në këtë drejtim, është se si të edukojmë qytetarët që të bëjnë ndryshimet e duhura në jetën e tyre të përditshme sot, për të parandaluar sëmundje të rënda kronike që mund të zhvillohen 10 ose 20 vjet më vonë. “Një zgjidhje e suksesshme e këtij problemi do të shpëtonte qindra jetë njerëzish dhe do të kishte një impakt të madh pozitiv në shëndetin publik afatgjatë”, theksoi ai.

Në përmbyllje të fjalës së tij, kryeministri Kurti ka theksuar se agjenda e kësaj konference të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Asociacionin Kosovar për Promovim dhe Edukim Shëndetësor “Mjediset e shëndetshme”, dhe përkrahur nga zyra e OBSh-së në Prishtinë, është jashtëzakonisht e pasur dhe përfshinë tema që janë me rëndësi të lartë, si në aspektin teorik, ashtu edhe në aspektin praktik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ranko…