Kurti kthen në detyrë drejtorin e ATK-së që e shkarkoi Avdullah Hoti

18 maj 2021 | 12:16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kthyer në postin e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezajn, të cilin e kishte shkarkuar ish-kryeministri Avdullah Hoti.

Përmes një komunikate për media, ATK-ja ka njoftuar se Kurti ka zbatuar vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ka konstatuar se shkarkimi i drejtorit Murtezaj ka qenë i kundërligjshëm dhe të njëjtin e ka kthyer në pozitën që mbante. “Sot drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj ka rifilluar punën, me ç’rast ka mbajtur takim me menaxhmentin e lartë, në të cilin u diskutuan aktivitetet në vijim, planet dhe objektivat për këtë vit. Bazuar në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ka konstatuar se shkarkimi i drejtorit Murtezaj ka qenë i kundërligjshëm, andaj kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në zbatimin të vendimit të KPMSHCK-së me datë 17 maj 2021, ka marrë vendim për kthim të menjëhershëm të Ilir Murtezajt në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës”, thuhet në komunikatën për media.

Gjatë takim të mbajtur me menaxhmentin e lartë, drejtori Murtezaj ka deklaruar se do të vazhdojë që të punojë me përkushtim me punët ku kanë mbetur. “Prioritetet dhe objektivat  e ATK-së do të kenë jetësim nëse secili prej nesh do të punojë me profesionalizëm dhe dinjitet”, ka thënë Murtezaj.

Po ashtu, ai ka thënë se janë dëshmitar që ATK-ja sikurse çdo institucion tjetër është duke u përballur me pasojat e pandemisë Covid-19, mirëpo ka theksuar se do të rimarrin prapë proceset që të ecet përpara.

Drejtori Murtezaj në fund të këtij takimi ka potencuar se shteti ynë më shumë se kurrë ka nevojë të fuqizohet, ku të gjithë së bashku duhet të punojmë, përfshirë këtu bashkëpunimin institucional dhe ndërinstitucional, partnerët dhe tatimpaguesit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vaksina kundër koronavirusit e kompanisë “Pfizer”, mund të ruhet në…