Kurti kujton Xhevdet Pecin: Ishte i mirënjohur për grushtet e tij të forta dhe goditjet e parezistueshme

10 maj 2022 | 10:57

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e ka kujtuar legjendën e boksit, Xhevdet Peci, i cili ndërroi jetë dje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti e ka ngushëlluar familjen e të ndjerit, ndërsa e ka përmendur karrierën e suksesshme të Pecit, i cili konsiderohet si njëri prej sportistëve më të mëdhenj që i ka pasur Kosova ndonjëherë.

“Xhevdet Peci ishte i mirënjohur për grushtet e tij të forta dhe goditjet e parezistueshme, me të cilët nokautonte kundërshtarët pa konsumuar të gjitha raundet. Ai arriti të shpallej katër herë kampion i ish-Jugosllavisë në konkurrencë individuale dhe pesë herë në konkurrencë ekipore si dhe dy herë kampion ballkanik. Me karrierën e tij të pasur, boksieri Xhevdet Peci ka hyrë në historinë e boksit dhe të sporteve në Kosovë, ku ai do të kujtohet për trofetë e fituar, kontributin për zhvillimin e boksit në Kosovë, për grushtet nokautuese të tij, madje edhe për ‘nokautimin’ e referit që i bëri padrejtësi”, ka shkruar Kurti në profilin e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Në kujtim të Xhevdet Pecit, kampionit tonë të boksit

Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e Xhevdet Pecit, boksierit të shquar të Kosovës gjatë viteve ’70-të dhe fillimviteve ’80-të. Ngushëllime familjes Peci, miqve të tij dhe të gjithë kolegëve boksierë të Xhevdetit, të gjeneratës së artë të KB “Prishtinës”.

Qysh kur isha fëmijë, para ndeshjeve të futbollit në stadiumin e kryeqytetit të KF “Prishtina” të dielave pasdite, shkonim në Pallatin e Rinisë për t’i parë boksierët e KB “Prishtina”. Bashkë me Lah Nimanin, Nazif Gashin, Aziz Salihun, Naser Bajramin, Mehmet Bogujevcin, Fatmir Makollin dhe boksierë të tjerë, ishte edhe Xhevdet Peci. Me stilin e tij të shpejtë të të boksuarit në ring, Xhevdet Peci i fitoi simpatitë dhe zemrat e mijëra dashamirësve të sportit, mes tyre edhe timen si një fëmijë entuziast për boksierin Xhevdet Peci, që 5 vite rresht askush nuk arriti ta mposhte.

I lindur më 17 prill 1955 në fshatin Zhazhë të Mitrovicës, Xhevdet Peci do të bëhej një nga sportistët më të trofeshëm në boksin e Kosovës dhe të Ballkanit. Xhevdet Peci ishte i mirënjohur për grushtet e tij të forta dhe goditjet e parezistueshme, me të cilët nokautonte kundërshtarët pa konsumuar të gjitha raundet. Ai arriti të shpallej katër herë kampion i ish-Jugosllavisë në konkurrencë individuale dhe pesë herë në konkurrencë ekipore si dhe dy herë kampion ballkanik. Me karrierën e tij të pasur, boksieri Xhevdet Peci ka hyrë në historinë e boksit dhe të sporteve në Kosovë, ku ai do të kujtohet për trofetë e fituar, kontributin për zhvillimin e boksit në Kosovë, për grushtet nokautuese të tij, madje edhe për “nokautimin” e referit që i bëri padrejtësi.

I fuqishëm qoftë kujtimi për Xhevdet Pecin, ashtu siç qe jeta e tij prej boksieri!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është duke vazhduar seanca e radhës për ecurinë e çështjes…