Kurti kundër idesë për një Qeveri gjithëpërfshirëse

24 shkurt 2019 | 16:11

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur kategorikisht kundër propozimeve për një Qeveri gjithëpërfshirëse.

Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, në mënyrë që sipas tij t’i hapet rrugë zhvillimit ekonomik, prodhimit dhe punësimit.

“Ne të Lëvizjes Vetëvendosje nuk udhëhiqemi nga parashikimet, por nga parimet. Ne dëshirojmë që të ketë sa më parë për interesin e vendit zgjedhje të parakohshme parlamentare, zgjedhje demokratike nga të cilat do të dalin institucione me legjitimitet të freskët edhe qeveri e re e cila do t’i hap rrugë zhvillimit ekonomik të vendit që koncentrohet në prodhim e punësimi dhe tek drejtësia institucionale dhe gjyqësore, e cila përqendrohet te luftimi i krimit e korrupsionit”, ka thënë Kurti për “Ekonomia Online”.

Ai ka thënë se Qeveria gjithëpërfshirëse nuk mund ta mbrojë sovranitetin e Kosovës.

“Nuk besoj që formulat dhe kombinimet qofshin ato për qeveri teknike apo gjithëpërfshirëse do ta mund ta mbrojnë sovranitetin dhe zhvillojnë ekonominë”, ka deklaruar Kurti.

Më tutje, Kurti ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje me LDK-në janë duke bashkëpunuar për të siguruar numrat për rrëzimin e Qeverisë, por që nuk do të mbështesin asnjë iniciativë të Listës Serbe në këtë drejtim.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja janë partitë më të mëdha në vendin tonë dhe janë parti opozitare që koordinohen brenda Kuvendit dhe jashtë tij. Ne jemi të interesuar që të largohet kjo Qeveri dhe të kemi zgjedhje të parakohshme. Natyrisht që ne nuk mbështesim iniciativat që burojnë nga Lista Serbe, por është përshtypja ime që Lista Serbe nuk është e interesuar për rrëzimin e Qeverisë. Ajo është e interesuar për një Qeveri të dobët”, është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se në momentin kur do t’i kenë numrat e nevojshëm do ta rrezojnë Qeverinë Haradinaj.

“Kur të kemi numrat e domosdoshëm për rrëzimin e Qeverisë ne si Vetëvendosje dhe LDK, natyrisht që do ta ndërmarrim një mocion për rrëzimin e Qeverisë dhe ne nuk mund të ia imponojmë asnjë deputeti se si do të votojë pavarësisht se prej cilës parti vjen”, është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj nuk duhet të rrëzohet për shkak të taksës 100 për qind ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, por për shkak të keqqeverisjes.

“Kjo është një Qeveri e pakicës e cila ka bërë shumë gabime dhe është karakterizuar nga skandale të panumërta, por ndonëse ne angazhohemi për zgjedhje të parakohshme demokratike ne nuk besojmë që kjo Qeveri duhet të rrëzohet për shkak të taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, por për keqqeverisje brenda vendit tonë. Nuk e kanë zhvilluar ekonominë, ne jemi ngulfatur nga deficiti tregtar, nuk ka punësim për rininë dhe për gratë, po ashtu nisi dyfishimin e pagave vetvetes. Pra kemi nevojë për Qeveri të ri, kemi nevojë për legjitimitet të ri që do të thotë se kemi nevojë për zgjedhje të reja demokratike të parakohshme në republikën e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Kurti edhe një herë ka përsëritur se duhet të fillohet dialogu me serbët e Kosovës, duke shtuar se nuk duhet të vrapohet në takime të kota me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ku dëgjohen përrallat e vjetra çetnike për Kosovën.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Jakup Krasniqi -Çfarë mesazhi përcjellin këto?  Disa harta e…