Kurti: Mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave

14 qershor 2023 | 16:05

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri.

Ai ka thënë se anulimi ka ndodhur nga homologu Edi Rama, dhe sipas tij, një gjë e tillë është e paarsyeshme.

Kurti ka thënë se mbledhjet e dy qeverive nuk mund të zëvendësohen me takime të kryeministrave.

Por sipas Kurtit, anulimi i mbledhjes së përbashkët nuk do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit dhe sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke shtuar se bëhet fjalë për dy shtete të të njëjtit komb.

“Kjo mbledhje është përgatitur muaj më parë dhe me kryeministrin Rama ne jemi në kontakt dhe takohemi shpesh, mirëpo mbledhjet e dy qeverive janë diçka tjetër, nuk mund të zëvendësohen mbledhjet e qeverive me takime të kryeministrave për shkak se ne duhej të nënshkruanim 13 marrëveshje. I kemi 13 marrëveshje me tekst të dakorduar që po na presin në sirtar dhe konsideroj që mosnënshkrimi i tyre sot është gabim dhe çdo ditë që ato nuk janë të nënshkruara dhe nuk zbatohen është dëm për qytetarët tanë. Kjo nuk do të thotë asgjë sa i përket qëndrimit, sjelljeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ne jemi dy shtete por jemi të të njëjtit komb dhe duhet të punojmë sa më shumë, në funksion të saj ishte edhe mbledhje e dy qeverive që për bindjen time është e paarsyeshme që nuk është mbajtur sot”, ka deklaruar Kurti.

Ai shtoi se asnjë ministër nuk ka pasur ndonjë vërejtje për asnjërën nga marrëveshjet që do të nënshkruheshin me Shqipërinë.

Ka ndodhur një anulim nga ana e kryeministrit Rama e mbledhjes që është dashur të mbahet sot. Në ditën e lidhjes së Prizrenit, 10 qershorin, 145-vjetori i kësaj ngjarje të madhe, të shtunën ne ishim në drekë dhe në ceremoni me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, të shtunën flisnim se si të mërkurën do ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Asnjë ministër nuk e ka bërë asnjë vërejtje për asnjërën nga marrëveshjet, gjithçka është dashur të shkojë si është më së miri por ky anulim u bërë nga ana e kryeministrit Rama, ndërsa anulimi i mbledhjes si duhet të quhet, nuk më përket mua”, ka thënë ai.

Mbledhja e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, ishte planifikuar të mbahej sot në Gjakovë.

Anulimi i saj është bërë i ditur mbrëmë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një konference të jashtëzakonshme për medie. /Ksp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës e ka mbajtur sot seancën e parafundit…