Kurti: MD-ja dhe MPB-ja kanë edhe 54 orë për raportin për rastin e Arlinda Zekajt, do të ketë masa

27 tetor 2026 | 12:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije  se Ministria e Drejtësisë (MD) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë edhe 54 orë për ta dorëzuar raportin për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt. Ai ka paralajmëruar masa në përputhje me ligjin dhe rregulloret.

Kurti ka thënë se raporti duhet të sqarojë dështimet e mundshme në secilën hallkë të zinxhirit institucional, por edhe të trajtojë rastet e ngjashme, duke theksuar se gratë që përjetojnë dhunë vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga personat që i kërcënojnë.

“54 orë nga ky moment i kanë Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë, dhe kjo është rezultat që në seancën e mbrëmshme, kur u votua me 67 vota rezoluta, unë thashë që ata i kanë 72 orë. Natyrisht që do të ketë edhe masa në përputhje me ligjin e me rregulloret. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, e dimë, por tash shpejtësia është kryesore”, ka thënë Kurti.

Ai e ka cilësuar Arlinda Zekajn si “dëshmore të betejës për drejtësi në Republikën e Kosovës”, duke kërkuar hetim të hetuesve, ngritje të aktakuzave kur ka bazë dhe gjykim të rasteve nga gjykatat, raporton “Ekonomia Online”.

Kryeministri ka theksuar se reforma në sistemin e drejtësisë nuk është vetëm e rëndësishme, por tashmë urgjente. Sipas tij, Bashkimi Evropian e ka kritikuar vazhdimisht Kosovën për këtë çështje në raportet e tij vjetore.

“Raportet për vendin të Bashkimit Evropian më së shumti na kanë kritikuar për çështjen e sistemit të drejtësisë, nga viti në vit”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se raporti i radhës pritet të publikohet javën e ardhshme.

Ai ka kërkuar që drejtësia të reformohet me urgjencë, duke theksuar se përgjegjësia duhet të shtrihet në të gjitha hallkat e sistemit.

“Drejtësi nuk e kemi të drejtë. Për të mos thënë drejtësinë e kemi të shtrembër. Kemi nevojë ta drejtojmë drejtësinë. Kjo do të thotë edhe hetim e hetuesve, edhe aktakuzë prokurorëve, edhe gjykime gjykatave. Dhe këtë, nëse e kemi konsideruar deri më tani të rëndësishme, tash duhet ta konsiderojmë urgjente”, ka thënë Kurti.

Në fillim të fjalës së tij, kryeministri u ka shprehur ngushëllime familjarëve të Arlinda Zekajt, duke thënë se vrasja e saj ka shkaktuar tronditje të madhe në shoqëri.

“Vrasja e së cilës ka shkaktuar tronditje të jashtëzakonshme jo vetëm te familja e farefisi, te miqtë dhe të njohurit e saj, por te të gjithë qytetarët e vendit tonë, të cilët bashkëndjejnë dhe solidarizohen me kërkesën për drejtësi”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Komuna e Hanit të Elezit i ka renovuar tri salla…