Kurti në mbledhjen e qeverisë reagon për incidentin e Skenderajt: Sulm qyqar, veprimet e tilla s’na trembin, organet ta trajtojnë me urgjencë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me të nisur mbledhjen e sotme, ka thënë se Qeveria e Kosovës e dënon sulmin ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehani, në Skenderaj.
Lëvizja Vetëvendosje më herët ka thënë se Mehani u sulmua nga kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku.
“Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistët tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që e shpërfaq mendësinë banditeske. Veprimet e tilla nuk na trembin e nuk na shtyjnë të tërhiqemi nga gara politike në asnjë qytet. U bëjmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit e drejtësisë që me urgjencë të marrin veprimet e nevojshme ndaj përgjegjësve për këtë sulm”, ka thënë Kurti.
Për rastin ka reaguar edhe Sami Lushtaku, i cili ka mohuar se e ka sulmuar Mehanin, duke thënë se qytetarët kanë reaguar pasi ai e kishte quajtur “Sami Serbia”.



