Kurti në takim me O’Connellin: Ardhja e një qeverie të re, domosdoshmëri

16 gusht 16:49

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shefi i grupit parlamentar, Glauk Konjufca, dhe dy deputetet e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli, kanë pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, dhe sekretarin politik të ambasadës britanike, Samuel Paice.

Zyrtarët e Vetëvendosjes e kanë falënderuar ambasadorin O’Connell për bashkëpunimin gjatë misionit të tij në Kosovë dhe për qasjen e sinqertë që kishte në relacion me institucionet e vendit tonë.

Ata kanë thënë se gjatë këtyre viteve, ambasadori O’Connell gjithashtu ka dhënë një kontribut drejt avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në takim, kryetari Kurti ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të parakohshme që pritet të shpallën së shpejti, dhe domosdoshmërinë e ardhjes së një qeverie të re, e cila në theks ka luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik për punësim, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, e sidomos përmirësimin e cilësisë së arsimit e shëndetësisë.

“Populli ynë përherë është falënderues ndaj mbështetjes së parezervë të Mbretërisë së Bashkuar, si një prej aleatëve kryesor dhe një prej shteteve më të fuqishme në Evropë. Shteti ynë duhet të punojë në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me shtetin e z. O’Connell. E, kjo arrihet me një qeveri e cila nuk ka të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar”, citohet të këtë thënë Kurti sipas një njoftimi të Vetëvendosjes.

Sipas këtij njoftimi, Lëvizja Vetëvendosje i dëshiron dhe i ka uruar ambasadorit O’Connell suksese në angazhimet e tij të radhës.

/Epoka e re/

Image may contain: 4 people, people sitting, table and indoor

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Polonia është duke konsideruar mbështetjen e një misioni të udhëhequr…