Kurti nga vendi i ngjarjes: 140 Mbps është shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut

12 mars 2024 | 10:57

Kryeministri Albin Kurti së bashku me kryeshefen e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetarët e Bordit dhe Sindikatës, Shpëtim Dobra dhe Lamih Balaj, drejtorin teknik, Halil Krasniqin, dhe inxhinierë e punëtorë të tjerë ishin sot në Çabër.

“140 Mbps është shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut. U bë zëvendësimi në stacionin bazë të transmetimit, me kalimin në teknologjinë Ericsson nga ajo Alcatel. Për një montim të këtillë dikur paguheshin nga 7500 deri 8500 euro kompanive private gjersa të punësuarit e Telekomit nuk punonin”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Ai ka thënë se tash, punëtorët e Telekomit instaluan edhe 15 stacione bazë të reja në veri, nga vetëm pesë sosh sa ishin më parë.

“Telekomi i Kosovës udhëhiqet nga mbulimi dhe cilësia e shërbimit publik dhe jo thjesht nga përfitimi financiar vetjak. Komunikimet elektronike janë e drejtë dhe nevojë e qytetarëve të cilat Telekomi i Kosovës i bën mundësi dhe garanci për qytetarët. Vitet 2024 dhe 2025 janë vite të Kosovës 5G. Vala në çdo cep të shtetit, në çdo vend të Republikës”.

“Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit pati një thirrje publike të veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës: të jenë në shërbim të Republikës e të publikut dhe jo të oligarkëve që duan ta vazhdojnë rrjepjen dhe gjymtimin e Telekomit të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se janë vendosur…