Kurti: Nuk besojmë se Haradinajt duhet t’i organizojmë mocion mosbesimi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se arrestimi i djeshëm i zyrtarit serb, Marko Gjuriq, është bërë dhjetë vjet me vonesë.
“Dje u dëshmua se pushteti në shtetin e kapur e ka toleruar dhe lejuar Serbinë në Kosovë. Mbajtja e Gjuriqit vetëm 5 minuta në stacionin policor, është dëshmia e dytë që ajo që u bë dje nuk ishte për sundim të ligjit”, ka thënë Kurti.
Kurti gjatë një konferencë për medie ka thënë se Gjuriqi nuk është dashur të lirohej.
Ai ka thënë se Gjuriqi nuk është dashur të akuzohet vetëm për kalim ilegal të kufirit por edhe për cenim territorial të Republikës së Kosovës.
“Arrestimi i Gjuriqit ndodhi një orë pasi që Thaçi, Veseli e Haradinaj u dakorduan që Kosova ta nis shkrimin e statutit të ‘Zajednicës’ së Serbisë, kundër së cilës kemi nënshkrimet e mbi 205 mijë qytetarëve të Republikës së Kosovës, demonstratat më të mëdha të Kosovës së pasluftës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë se plot 23 nene të Kushtetutës janë shkelur. Aksioni që nuk është sekuencë pozitive, ka konsekuenca negative. Ne nuk e dimë nëse kishte strategji shtetërore para aksionit të djeshëm. Ne nuk dimë nëse tash ka strategji shtetërore pas aksionit të djeshëm. Dhe, ne kemi përvojë të hidhur me mungesën e strategjive shtetërore të Kosovës kundrejt Serbisë dhe për veriun e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se kryeministri Haradinaj nuk ishte në gjendje të thotë se ai ka dhënë urdhër për arrestimin e Gjuriqin. “Ai tha se e ka ‘monitoruar gjendjen’. Po, të gjithë qytetarët e monitoruan gjendjen live para ekraneve televizive. Duket se atë e ka anashkaluar dueti Hashim Thaçi-Shpend Maxhuni. Presidenti Thaçi nuk ia ka më nevojën Haradinajt sikurse para ratifikimit të ‘demarkacionit’ me Malin e Zi. Para ratifikimit Haradinaj e kishte në dorë Thaçin, tash u ndërruan rolet”, ka thënë Kurti.
Ndërsa duke folur për vendimin e Listës Serbe për largimin nga Qeveria, Kurti ka thënë se kjo listë është produkt i dialogut me Serbinë.
“Ne edhe mund ta shpejtomë z. Haradinaj nga Lista Serbe por nuk mund ta shpejtojmë z. Haradinajn nga vetvetja”, ka thënë Kurti, duke shtuar se pas votimit të demarkacionit fati i Haradinajt varet nga presidenti Hashim Thaçi.
Në këtë kontekst, Kurti ka thënë se nuk e kanë ndërmend t’i organizojnë mocion mosbesimi kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Ne e dëshirojmë ndryshimin në Kosovë, mirëpo nuk besojmë që z. Haradinajt duhet t’i organizojmë mocion për shkak se e la Lista Serbe. Ne besojmë se ministrat që sipas Kushtetutës duhet të jenë nga komuniteti serb le të jenë serb që e pranojnë Kushtetutën, pra që e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”, është shprehur Kurti.