Kurti: Nuk mund të shkruajmë tekste alternative për Asociacionin, duhet të pajtohemi për parimet

08 qershor 2023 | 14:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nga deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi nëse ka filluar punën për hartimin e draftit të Asociacionit dhe nëse e ka formuar ekipin për ta bërë këtë punë.

Kurti nuk ka thënë se ka hartuar një draft të tij siç është janë duke ua kërkuar ndërmjetësit, por theksuar se ka prezantuar draft-vizionin dhe se për ta thelluar atë fillimisht duhet pajtimi në parim nga pala tjetër.

“Unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të marrëveshjes bazike e në lidhje edhe me nenin 10 për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër që s’e pranoi fare dokumentin e më pas edhe të Brukselit zyrtar që vazhdon ta konsiderojë këtë çështje të hapur. Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel dhe i cili përfaqëson shkronjën dhe frymën e Kushtetutës sonë”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Por, Musliu sërish ka pyetur Kurtin se si do të duket statuti i tij.

Në përgjigje, Kurti ka përsëritur se qëndrimi i tij për këtë çështje është publik në dy faqet e publikuara të draft-vizionit të tij të prezantuar në Bruksel.

“Në takimin e fundit më 2 maj unë kam prezantuar draft-vizionin për atë që thuhet në nenin 7 si nivel adekuat i vetëmenaxhimit të komunitetit serb. Pra, unë kam prezantuar draft-vizionin e si duket ai më së miri e shpjegon teksti dyfaqësh. Pra, porsa të lexohet teksti kuptohet si do të duket në vijim dhe konkretisht unë jam inspiruar nga modeli i Kroacisë për pakicat kombëtare për tri arsye. E para; Kroacia ka dalë nga lufta gjatë shpërbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë sikurse Kosova. E dyta; për shkak se Kroacia është shembull suksesi i vendit anëtar në BE dhe NATO. E treta; për shkak se Serbia e ka një marrëveshje tashmë me Kroacinë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe ku përfshihen edhe të drejtat e pakicave kombëtare”.

“Pra, si duket e kam dhënë vizionin. Ai është dy faqe dhe është publik dhe të gjithë mund ta lexojnë atë. Unë këtë mund ta thelloj, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që i kam thënë në Ohër më 18 mars, ne lirisht mund ta thellojmë tekstin, por nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilave mund të gjendet mesatarja aritmetikore pa u pajtuar njëherë në pajtim”, ka thënë Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha Për nënën dhe portretin e saj…