Kurti: Për 55 ditë janë bërë shumë punë, qeveria është në krye të detyrës për të siguruar vaksina

17 maj 2021 | 10:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme për prezantimin e programit të qeverisë për katër vitet e ardhshme, ka thënë se në 55 ditë nga marrja e detyrës, janë bërë shumë punë, ku prioritet ka qenë menaxhimi i pandemisë.

Ai ka thënë se hyrja në fuqi e masave të reja ishin efektive dhe të suksesshme.

“Sot janë bërë 55 ditë nga marrja e detyrës së Qeverisë sonë. Në këto 55 ditë, kemi bërë shumë punë. Siç e kemi thënë edhe në program, prioritet është menaxhimi i pandemisë, ne kemi hartuar një plan që synonte të ndalte trendin e rritjes së infektimeve dhe vdekjeve e më pas eliminimin e vdekjes si pasojë e Covid-19. Pas 41 ditësh të hyrjes në fuqi, mund të raportojë se këto masa ishin efektive dhe të suksesshme dhe falë këtyre sot kemi një situatë krejtësisht tjetër”.

“Një ulje prej 87.4 për qind  të numrit të rasteve, do të thotë që qeverisja e mirë funksionon. Me marrjen dhe zbatimin e masave të reja, kemi punuar pa u ndalur që të sigurojmë sa më shumë vaksina. Kur ne erdhëm në detyrë, nuk gjetëm as vaksinë dhe asnjë kontratë për sigurimin e tyre. Kemi siguruar 74 mijë e 100 vaksina dhe do të kemi edhe mbi 144 mijë të reja deri në fund të këtij muaj, me këto dhe pritje të reja që kemi për muajin qershor jemi në rrugë të mirë për vaksinim”.

“Kjo situatë e lehtësuar nuk është rezultat vetëm i qeverisë por edhe i bashkëpunimit të bizneseve edhe qytetarëve. Të jeni të sigurt që Qeveria është në krye të detyrës për të siguruar vaksina dhe po e trajton me seriozitet pa e neglizhuar dhe injoruar siç është bërë më përpara”, ka thënë Kurti

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur seanca e jashtëzakonshme në Kuvend, ku pritet të…