
Kurti për masakrën e Dubravës: Jemi në pritje të aktakuzave nga Prokuroria Speciale
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Dubrava është një nga shprehjet më të thekshme të gjenocidit politik e shtetëror të Serbisë.
“Këtu e 21 vite më parë është kryer masakra mbi të burgosurit politikë në burgun e Dubravës. Pra, nuk shfaroseshin njerëz për të prodhuar frikën, ishte në fakt frika e Serbisë në vitin 1999 që vinte në zbatim ëndrrat më të tmerrshme gjenocidale. Gjenocid mbi të burgosur – pushkatim i të burgosurve politikë”.
“Beogradi nuk mund të ndahej nga persekutimi i shqiptarëve deri në çastin e fundit. Dubrava dhe vonesa e gjykimit të kësaj masakre tregon pikën e referencës prej ku kuptohet se nuk është vendosur asnjë drejtësi. Masakra e Dubravës, sikurse edhe ajo e Reçakut e Padalishtës, ishin përfshirë vetëm te aktakuza ndaj Milosheviqit i cili vdiq pa u dënuar në burgun e Hagës”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kurti ka theksuar se sot një javë bëhen një vit prej se është amandamentuar Kodi i Procedurës Penale në Kosovë duke mundësuar gjykimin dhe dënimin e kriminelëve në mungesë. “Ende jemi në pritje të aktakuzave nga Prokuroria Speciale…”, ka shkruar Kurti.
(M.Q / Epoka e re)