Kurti: Shëndetësia nuk është e kënaqshme,  të llogarisim më shumë në parandalim sesa në shërim

10 prill 2020 | 12:27

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Ferizaj për të parë gjendjen e kësaj komune në ballafaqimin me koronavirusin.

Me këtë rast, ai ka falënderuar kryetarin Agim Aliu për mikpritje dhe për angazhimin e tij në marrjen e masave për parandalimin e koronavirusit.

“Masat në Ferizaj kanë ndikuar që numri i të infektuarve të jetë i ulët. Prandaj, këto masa duhet ta vazhdohet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë. U njoftova edhe për gjendjen në Spitalin e Ferizajt dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe angazhimin që po bën kryetari i komunës që të mos e lë padore edhe shëndetin e ekonomisë së Ferizajt që është shumë i rëndësishëm për Kosovën”, ka thënë Kurti.

Kurti ka theksuar se në kuadër të Pakos Emergjente Fiskale janë edhe ndihmat për komunat e Kosovës, përmes së cilës synohet që të humbet normaliteti i jetesës. Në javët e prillit duhet të përqendrohemi maksimalisht në tri gjëra thelbësore dhe të thjeshta. Rrini në shtëpi, rrini të pastër dhe rrini në distancë”.

“Sektori i shëndetësisë nuk është i kënaqshëm, andaj neve na duhet të llogarisim pakrahasimisht më shumë në parandalim sesa në shërim. Ju bëj thirrje që pavarësisht se është moti i mirë dhe kemi dëshirë të shëtisim dhe të dalim duhet t’i respektojmë udhëzimet e Qeverisë në detyrë dhe institucioneve shëndetësore. Siç kemi qenë shembull të ngelemi të tillë edhe kur ta kalojmë këtë pandemi”, është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se nuk duhet të ketë ndasi partiake duke thënë se duhet qëndruar bashkë në këtë betejë pa dallime.

“Ne i kemi mbështetur të gjitha llojet e uniformave që janë në krye të detyrës në këtë luftë. Ato të kaltrat të policëve, të bardhat të mjekëve dhe infermierëve, ato të gjelbërtat të pjesëtarëve të ndryshëm që po kontribuojnë në parandalimin e pandemisë”, ka deklaruar Kurti.

Ndërsa, kryetari i Ferizajt, ka thënë se kjo komunë ka marrë masat e nevojshme, por se duhet vazhduar edhe me të tjera pasi siç  theksuar ai, asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për ta luftuar koronavirusin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetet…