Kurti status në ora 6:30 të mëngjesit: Votojeni LVV-në, ky është vetëm fillimi!

16 tetor 2021 | 08:50

Kryeministri i Republikës, Albin Kurti me mëngjes, në ora 6:33, ka bërë thirrjen e fundit që të votohet Lëvizja “Vetëvendosje”.

Ai ka lavdëruar qeverisjen e tij, duke thënë se “për vetëm 6 muaj qeverisje po shënojmë rritjen më të lartë ekonomike që vendi ka pasur ndonjëherë”.

lg.php.gifSipas tij, kurrë më parë një Qeveri nuk ka bërë kaq shumë në vetëm 6 muajt e parë.

“Kurrë më parë nuk është ndjerë kaq shumë dora e mirë e shtetit tonë.  Ky është vetëm fillimi”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë,

Duke ju falenderuar përzemërsisht për mikpritjen e jashtëzakonshme gjithandej komunave, fshtarave e lagjeve të Kosovës dhe diskutimeve të pafundme ju ftoj edhe një herë të votoni Lëvizjen VETËVENDOSJE! me numrin 144 dhe kandidatët e saj.

Bashkë jemi angazhuar, bashkë do të votojmë, bashkë do të fitojmë dhe bashkë qeverisim!

Shëndeti publik, financiar e social që erdhi nga ndryshimet demokratike me zgjedhjet paralamentare të 14 shkurtit 2021 duhet plotësuar e shtuar me zgjedhjet komunale të 17 tetorit 2021.

Për vetëm 6 muaj qeverisje po shënojmë rritjen më të lartë ekonomike që vendi ka pasur ndonjëherë. Rritja për 6 mujorin e parë të vitit është 10.4%, dhe kjo trajektore parashihet të mbahet deri në fund të vitit, për të përmbyllur vitin me rritje ekonomike dyshifrore.

Kemi rritje të qarkullimit të bizneseve për 36% krahasuar me vitin e kaluar, dhe 21% krahasuar me vitin 2019. Rritja e eksportit është edhe më impresive: vetëm këtë vit eksportet janë rritur mbi 60%.

Kemi shënuar po ashtu edhe rritjen më të madhe të të hyrave buxhetore që ka qenë ndonjëherë – plot 35% krahasuar me vitin paraprak.

Por nuk janë vetëm të hyrat që po performojnë më mirë.

Kemi vënë rregull e disiplinë në financat publike dhe tani ka më shumë buxhet që shkon te qytetari, e jo në tenderët e hajnisë.

Nga kursimet që kemi bërë dhe nga menaxhimi më i mirë i buxhetit, ka qenë e mundur që:

– Të sigurojmë vaksinimin rapid, që na vendos në top 10 vendet me vaksinimin më të shpejtë në botë;

– Të ndajmë mbi 30 milionë euro buxhet shtesë për menaxhimin e pandemisë;

– Të lirojmë nga pagesa e semestrit të gjithë studentët e universiteteve publike;

– Të sigurojmë një mijë bursa për studentë e 2 mijë kuponë për kurse në TI për nxënës maturantë;

– Të mbështesim krijimin e 9 mijë vendeve të reja të punës përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike në vetëm 3 muajt e fundit, dhe lajmi i mirë është se gjysma e tyre janë gra;

– Kemi ndarë buxhetin më të madh që ka pasur ushtria ndonjëherë  dhe po e pajisim me armatim modern. Brenda këtij mandati do të arrijmë në standardin e NATO-s prej 2% të GDP-së buxhet për ushtrinë;

– Kemi rritur buxhetin për subvencione dhe do të mbyllim vitin me nivelin më të lartë të mbështetjes për bujqit;

– Kemi krijuar fond për blerjen e veprave të artit;

– Kemi rritur mbështetjen direkte për artin e pavarur dhe sportin me 5 milionë euro;

– Kemi filluar mbështetjen për të gjitha lehonat, me pagë minimale;

– Kemi filluar pagesën e shtesave për fëmijë;

– Jemi siguruar që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro;

– Kemi mbështetur familjet në asistencë sociale me 30% më shumë ndihmë mbi atë që marrin zakonisht;

– Kemi mbështetur 17 kuzhina popullore me një milion euro;

– Kemi mbështetur likuiditetin familjar me deri në 300 euro për familje;

– Kemi mbështetur familjet që kanë humbur familjarin nga COVID-19.

Këto janë vetëm disa nga punët e mira, në 6 mujorin e parë të Qeverisë sonë, që janë mundësuar nga menaxhimi i mirë e mirë qeverisja.

Edhe shumë punë tjera të mira na presin ditëve e muajve në vijim.

Kurrë më parë një Qeveri nuk ka bërë kaq shumë në vetëm 6 muajt e parë. Kurrë më parë nuk është ndjerë kaq shumë dora e mirë e shtetit tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë javëve të fundit është shënuar një rënie e madhe…