Kurti takohet me përfaqësues të shqiptarëve në Mal të Zi

13 dhjetor 2019 | 15:15

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, së bashku me nënkryetaren Fatmire Mulhaxha Kollçaku, anëtarin e Kryesisë, Martin Berishaj dhe aktivisten, Valë Gjonbalaj, kanë pritur në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika dhe nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genc Nimanbegu.

Nika dhe Nimanbegu kanë uruar Kurti për fitoren në zgjedhjet e fundit dhe shprehën dëshirën që qeveria e re e Kosovës të formohet sa më parë.

Ata kanë ndarë edhe shqetësimin e tyre në lidhje me shqiptarët në Mal të Zi, emigrimin në rritje, asimilimin dhe natalitetin e ulët, duke shprehë bindjen se qeveria e re e Kosovës do të ketë një vëmendje të shtuar për shqiptarët që jetojnë atje.

Kurti i ka falënderuar mysafirët për urimin e vizitën dhe i ka njoftuar me prioritetet e qeverisë së re të Kosovës që do të formohet së shpejti, e që janë punësimi dhe drejtësia.

Në lidhje me shqiptarët jashtë kufirit dhe ata në Mal të Zi, Kurti ka thënë se është e rëndësishme që ata të bashkohen, por që edhe më e rëndësishme është t’iu zgjerohet korniza e mundësive në ato vende ku ata jetojnë e këtu një rol më aktiv pa dyshim se duhet ta kenë Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë.

Në përfundim të takimit është shprehur gatishmëria për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Financave, është shpërblyer sot për punën e saj…