Kurti takon Vasfije Krasniqi-Goodman, mbështet misionin e saj për të sjell drejtësi

18 prill 2019 | 12:16

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i shoqëruar nga nënkryetarja Fatmire Mullhaxha Kollçaku, përfaqësuesja në KQZ Nazlie Bala, deputetja Saranda Bogujevci, deputeti Sami Kurteshi dhe anëtari i Kryesisë Arben Vitia ka takuar Vasfije Krasniqi-Goodman, gruan e guximshme që i mbijetoi tmerrit të luftës dhe heshtjes së pasluftës.

Vetëvendosje konsideron se një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë janë dhunimet seksuale të kryera nga forcat e Serbisë.

“Ky krim shpërfaq faktin se Serbia nuk mjaftohej me vdekjen e shqiptarëve. Përçmimi i tyre ndaj nesh nuk kishte të sosur. Aq i rëndë ka qenë ky përçmim sa institucionet e vendit dhe shoqëria jonë e pasluftës nuk ia kanë të dalë të kenë guximin të përballen hapur me këtë dhunë ndaj vajzave dhe grave”, është thënë në komunikatën e kësaj partie.

Sipas Vetëvendosjes, institucionet e vendit duhet ta marrin guximin dhe ta kenë vullnetin për t’u angazhuar për t’i vendosur kriminelët përballë drejtësisë.

“Ndërkohë, për asnjë rast të vetëm drejtësia nuk është sjellë në vend dhe asnjë gjykim nuk është dhënë për ata që planifikuan, organizuan dhe kryen dhunimet ndaj grave dhe vajzave në Kosovë. Këtë brengë të drejtësisë rindau Vasfije Krasniqi-Goodman. Drejtësia për ta dënuar krimin dhe kriminelin ka munguar. Thirrja e Vasfijes është thirrja e 20 000 grave dhe vajzave të dhunuara. Thirrja e Vasfijes është thirrja që i jep zë dhimbjes. Një forcë dhe guxim i jashtëzakonshëm duhet për t’u përballur dhe për t’i dhënë zë dhimbjes, duhet forca dhe guximi i të vërtetës dhe të drejtës”, është theksuar më tutje në komunikatën e Vetëvendosjes.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë me dije se mbështet misionin dhe iniciativën e Vasfijes për të sjell drejtësi.

 /Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, të enjten mori…